Barack dhe Michele Obama fitojnë një çmim “Oscar”, me kompaninë e tyre “Higher Ground”

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë (e diel) është mbajtur ceremonia e 92-të e ndarjes së çmimeve “Oscar” në Dolby Theatre në Los Angelos.

Në mesin e shumë yjeve, edhe ish-presidenti Barack Obama dhe gruaja e tij Michelle morën një çmim Oscar.

Kompania e tyre e produksionit “Higher Ground”, fitoi Oscarin e parë me dokumentarin “American Factory” që u shpall dokumentari më i mirë me metrazh të gjatë.

“Historia jonë është nga Ohio dhe Kina, por me të vërtetë mund të jetë nga kudo. Njerëzit që punojnë e kanë më të vështirë e më të vështirë këto ditë”- tha Julia Reichert, ndërsa pranoi çmimin së bashku me Steven Bognar. “Ne besojmë se gjërat do të përmirësohen kur punëtorët e botës të bashkohen”.

Ky dokumentar flet për një fabrikë të xhamave të automjeteve në Ohajo që drejtohet nga një investitor kinez. Ai përshkruan shumë çështje, përfshirë të drejtat e punëtorëve, globalizimin dhe automatizimin.

Fabrika Fuyao punëson rreth 2,200 punëtorë amerikanë dhe 200 kinezë, sipas Fox News. Filmi jep një vështrim nga afër se si kulturat përshtaten me njëra-tjetrën.

Ish-Presidenti Obama ka reaguar për fitoren e kompanisë së tij duke shkruar: “Urime Julia dhe Steven, kineastët që qëndrojnë pas American Factory, për të treguar një histori kaq të ndërlikuar e prekëse, për pasojat njerëzore të ndryshimit ekonomik. I lumtur që shoh dy njerëz të talentuar dhe të mirë, që marrin çmimin e parë Oscar për publikimin e parë të Higher Ground”. 

Të ngjashme