Dukagjin Lipa njofton se Kuvendi i Prishtinës ka votuar pro destinimit të një lokacioni të përhershëm për festivalin “Sunny Hill”

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Festivali “Sunny Hill” debutoi në Kosovë në vitin 2016, për të vazhduar me një organizim shumë më të detajuar në vitin 2018, dhe një tjetër në 2019 – e që për fat të keq ishte i fundit i organizuar deri më tash për shkak të pandemisë.

Deri më tash ky festival është zhvilluar në lokacionin e Parkut të Gërmisë, me një kapacitet maksimal prej 20 mijë pjesëmarrësve.

Mirëpo nga tash e tutje, ky festival do të zhvillohet në një lokacion të ri në dalje të Prishtinës.

Bëhet fjalë për zonën afër panaireve në Shkabaj, ku do të investohen gjysmë milioni euro, do mbillen drunj, do bëhet një liqe artificial – teksa aktualisht mbi këtë pronë ka vetëm shkurre dhe asgjë tjetër.

Pro këtij vendimi ka votuar Kuvendi Komunal i Prishtinës, i cili njëherësh i ka dhënë dritën e gjelbër festivalit që tash e tutje të zhvillohet atje.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur edhe vet organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa, përmes një njoftimi në rrjetin social Instagram.

“Ky ishte fillimi i udhëtimit tonë në vitin 2016. Pas një pritje të gjatë Sunny Hill Festival merr adresën e tij të përhershme. Faleminderit Komuna e Prishtinës, Shpend Ahmeti, Xil Ismaili për mbështetjen tuaj të palodhur, dhe gjithë Kuvendin e Prishtinës që votuan unanimisht në favor të festivalit tonë. Udhëtimi ynë fillon përsëri”, shkroi Lipa në Instagram.

Me këtë, ai sikur paralajmëroi që festivali Sunny Hill mund të organizohet sivjet, ani pse nuk ka ende një njoftim nga institucionet përkatëse nëse do të lejohet organizimi i një eventi të përmasave të tilla.

Të ngjashme