Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi shfaqet me veshje kombëtare në Malet e Rugovës

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi, të martën mori pjesë në të ashtuquajturat “Lojërat Tradicionale Rugova 2020”.

Me këtë rast, ajo pati një befasi për të gjithë rugovasit në eventin e organizuar.

Ministrja e Kulturës mori vendim që Lojërat Tradicionale “Rugova” të marrin statusin e mbrojtjes së përkohshme.

Këtë gjë ajo e bëri të ditur edhe përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

“Në ditën e parë të muajit të trashëgimisë kulturore ishim në Rugovë ku po zhvillohen lojërat tradicionale të Rugovës. Ky thesar i çmueshëm i kulturës së kësaj treve por edhe i etnikumit shqiptar në përgjithësi. Lojërat tradicionale të Rugovës janë ruajtur brez pas brezi dhe duke i mbijetuar kohës janë ruajtur e zhvilluar edhe sot nga banorët e kësaj ane. Ansambli folklorik autokton “Rugova” në anën tjetër, në shtatë dekada ka ruajtur vallet, këngët, veshjet e të tjera pjesë të traditës rugovase. Vlerat artistike të ansamblit janë përcjellë nga brezi në brez nga gjeneratat e artistëve popullorë. Kjo krijimtari e shquar jo vetëm nga niveli i lartë artistik, por edhe nga elementi i theksuar etnik, përbën një shtyllë identitare të popullit tonë të lashtë e me botë të pasur artistike dhe estetike. Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke u bazuar në Ligjin Nr.02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore kam marrë vendim që Lojërat Tradicionale Rugova dhe Opusi i Ansamblit folklorik “Rugova” të marrin statusin e mbrojtjes se përkohshme. Trashëgimia kulturore është pasuria jonë me e çmuar dhe ruajtja e saj është misioni ynë më i rëndësishëm”, shkroi Dumoshi në Facebook.

Teksa mori pjesë në një event që promovon kulturën dhe vlerat tradicionale rugovase, Dumoshi i befasoi të gjithë edhe me dukjen e saj.

Fillimisht, ajo u shfaq me një fustan të bardhë, i cili në mes kishte një detaj të vogël, punim dore me motive tradicionale.

Më pas, ajo u vesh me tesha kombëtare, duke marrë pamjen e një nuse tradicionale rugovase.

Me veshjen e qëndisur detajisht me elemente kombëtare dhe shaminë e kuqe në kokë, Vlora Dumoshi, theksoi edhe më tepër klasin e saj dhe dëshirën për të qëndruar sa më në hap me traditat dhe stilin autentik shqiptar.

Ministrja aktuale e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është shquar gjithmonë si një prej figurave politike me stilin më të veçantë dhe paraqitjet dinjitoze para publikut.

Të ngjashme