The Weeknd dhuron 300 mijë dollarë për tragjedinë në Bejrut

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Reperi i njohur The Weeknd ka dhuruar 300 mijë dollarë për fondin e ndihmës për Libanin, “Global Aid”, në mbështetje të vendit pas shpërthimit masiv në portin e kryeqytetit, Bejrut, që la të vdekur rreth 220 persona dhe lëndoi edhe 6.000 të tjerë.

Menaxheri i këngëtarit, Wassim Slaiby, e ka bërë të ditur një gjë të tillë përmes Instagramit.

“Dua të falënderoj vëllanë tim The Weeknd për aktin e tij bujar dhe me klasë, duke dhuruar 300 mijë dollarë në fushatën ‘Global Aid’ për Libanin”, ka shkruar ai.

Slaiby, i cili është libanezo-kanadez, falënderoi po ashtu Michael Rapinonin, shef ekzekutiv i “Live Nation Entertainment”, për dhurimin e 50 mijë dollarëve në këtë fond të ndihmës.

“Jam shumë i nderuar dhe i përulur për të punuar me artistët që kanë një kujdes kaq të thellë për botën. Dhe tani për vëllezërit dhe motrat tona në Liban, që janë në dhimbje dhe kanë nevojë për ndihmën tonë kolektive”, ka shtuar ai tutje.

Slaiby për më tepër ka trimëruar fansat që të dhurojnë aq sa munden për vendin e tronditur nga shpërthimi i 4 gushtit.

“Jepni aq që mundeni, në mënyrë që bota të nxitet për ta ndihmuar Libanin e goditur nga kjo tragjedi shkatërrimtare”, ka shkruar ai.

Shpërthimi masiv ka rrafshuar përtokë zonat përreth portit të kryeqytetit, duke lënë me këtë rast më shumë se 300 mijë persona pa strehë mbi kokë.

Të ngjashme