Kultura e dialogut dhe e ardhmja e Kosovës

Prishtinë | 12 Mar 2022 | 22:55 | Nga Milazim Krasniqi

Problemet e mëdha të Kosovës janë të natyrës kombëtare, si konflikt ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për pronësi mbi territorin dhe të natyrës gjeopolitike, si rivalitet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, për prezencë e dominim më këto hapësira. Përplasja e ideologjive kombëtare, shqiptare e serbe, ushqehet nga dy burime të ndryshme, që edhe e kanë prodhuar fizionominë e ndryshme të tyre: ideologjia kombëtare serbe ushqehet nga mitologjia, në qendër të së cilës është Beteja e Kosovës, ndërsa ajo shqiptare ushqehet nga historia që ka ndodhur me të vërtetë, me Lidhjen e Prizrenit si themeli mbi të cilin është ngjizur kombformimi shqiptar. Meqë as mitit e as historisë nuk i shterojnë lehtë e shpejt energjitë, është e pritshme që ky konfikt do të jetë aktiv dhe agresiv edhe për një kohë të gjatë. Kriza e tejzgajtur në veriun e Kosovë dhe kriza e rikthyer në Luginën e Preshevës, janë dëshmi e këtyre potencialeve shpërthyese. Pa prezencën dhe pa presionin ndërkombëtar, kjo do të mund të eskalonte në konflikt të armatosur. Edhe nëse konflikti i armatosur shmanget, konflikti do të mbetet i zjarrtë dhe i hapur në fushatat politike, në festat kishtare ortodokse, në debatet historiografike, në krijimtarinë artistike dhe në diskursin publicistik. Këto janë të mjaftueshme për ta mbajtur të ndezur zjarrin e konfliktit.

Problemet ndërfetare nuk kanë qenë asnjëherë në plan të parë

Përplasja e dytë e madhe në Kosovë është ajo ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, veçmas nga koha kur vendi i mbetur bosh i Perandorisë Osmane, duhej të zihej ose nga sllavët e sponsorizuar nga Rusia, ose nga shqiptarët e sponsorizuar nga Austro-Hungaria. Edhe në vitin 1999 ka qenë e njëjta skemë, vetëm me ndryshimin që në vend të Austro-Hungarisë, lidere e Perëndimit ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto dy përplasje të mëdha, njëra kombëtare e tjetra ndërkombëtare, kanë eklipsuar problemet e tjera, si problemet fetare e kulturore, meqë dy përplasjet e mëdha as sot nuk janë zgjidhur përfundimisht.
Rrjedhimisht, problemet ndërfetare e ndërkulturore, nuk kanë qenë asnjëherë në plan të parë dhe nuk kanë pasur energji për të prodhuar kriza, por as për t’i zgjidhur krizat ekzistuese. E vërteta është që në kuadër të ideologjisë serbe për sundimin e Kosovës, ka qenë e inkorporuar ideja për dëbimin e shqiptarëve me etiketën e diskriminimit fetar. Poashtu edhe në Planin Ahtisari janë inkorporuar zgjidhje që i japin statusit të Kishës Ortodokse Serbe dimension problematik për një shtet laik. Por, ky ka qenë dhe është instrumentalizim i Kishës Ortodokse Serbe, në kuadër të qëllimeve hegjemoniste kombëtare serbe.
Ndërsa, konteste kulturore në Kosovë praktikisht nuk ka pasur për arsye se të gjithë popujt që kanë jetuar e jetojnë në Kosovë, po edhe në Ballkan, përfshirë edhe vetë Perandorinë Osmane përkatësisht Turqinë e sotme, karakterizohen nga eklektizimi kulturor, ku dhënia e marrja mes kulturave ka qenë intensive, sa që nganjëherë është dukur se po krijohej një simbiozë kulturore ballkanike. Fjala vjen, këngët akritike bizantine, këngët kreshnike shqiptare dhe këngët heroike sllave, me elemente ngjashmërish që kanë, janë shembull i këtij eklektizmi kulturor, sikundër që janë të tilla edhe këngët e mëvonshme, si ajo që e pati hulumtuar Adela Peva, me dokumentarin e saj të famshëm, “E kujt është kjo këngë?”*Prandaj, as sot nuk mund të pritet që dialogu ndërfetar dhe ai ndërkulturor të kontribuojnë në mënyrë vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kombëtar shqiptaro-serb dhe as të zbutjes së rivaliteteve gjeopolitike mes Perëndimit (ku inkuadrohet edhe Turqia) dhe Rusisë, sepse as besimet fetare e as kulturat nuk i kanë krijuar këto probleme. Megjithatë, kontributet e dialogut ndërfetar e ndërkulturor mund të japin një ndihmesë, së paku për tejkalimin e disa paragjykimeve dhe për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Multietniciteti si kornizë

Për ta ditur se çfarë mundësish ka dialogu ndërfetar e ndërkulturor në Kosovë, fillimisht duhet të dimë se cili është statusi i besimeve fetare në Kosovën e pavarur dhe cila është gjendja e kulturës në këtë vend. E para, liritë fetare në Kosovën e pavarur janë të përcaktuara nga multietniciteti si kornizë e afirmimit të identiteteve etnike dhe fetare, nga traditat tolerante fetare të banorëve dhe nga synimi që të adaptohen standardet europiane edhe në punë të respektimit të lirive dhe të të drejtave fetare. Në këtë kuadër, zgjidhja që ka pranuar Kosova e pavarur për statusin e kishave dhe të manastireve serbe dhe përgjithësisht për Kishën Ortodokse Serbe, është një zgjidhje maksimaliste e respektimit të kërkesave të një komuniteti fetar. Kjo zgjidhje maksimaliste edhe ka krijuar disproporcion ndërmjet bashkësive fetare në vend, që faktikisht e demotivojnë Kishën Ortodokse Serbe, përsa i përket dialogut ndërfetar. Ajo është tërësisht e mobilizuar që ta minojë sa të jetë e mundshme shtetin e Kosovës, që do të thotë se ajo injoron projektet e dialogimit. Megjithatë, është mirë që Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvia e Kosovës, (të cilat kanë komunikim të mirë mes vete) i kanë të hapura vazhdimisht ofertat për bashkëpunim edhe me Kishën Ortodokse Serbe. Por, statuset disproporcionale të bashkësive fetare në vendin tonë, e veçmas statusi i Kishës Ortodokse Serbe, vërtet paraqesin vështirësi serioze në promovimin e dialogut ndërfetar. Këtë duket se nuk e ka pasur para sysh Ahtisari dhe ata që e kanë pranuar Planin e tij, por në realitet ai plan e ka stimuluar dezintegrimin e jo integrimin. Këto statuse të pabarabarta demotivojnë dialogun permanent, krijimin e një agjende të përbashkët përballë shtetit dhe të kontributeve për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë e të vendit. Por, fija e përbashkët e tyre, për dialog ekziston, për arsye se feja e krishterë dhe ajo islame, si fe abrahamike, në esencë janë universale, dhe mbi këtë premisë ato mund të dialogojnë dhe të afirmojnë vlerat universale të paqes e të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve e popujve.
Në këtë kontekst, universalieti pohon se njerëzit janë të lirë në zgjedhjen që bëjnë, ndërsa përgjegjësinë për zgjedhjen që kanë bërë e japin vetëm para Krijuesit të vet, e jo para njëri-tjetrit. Kjo ua heqë gjithë legjitimitetin hierarkive fetare e kujtdo tjetër që të gjykojnë të tjerët në emër të zgjedhjes që kanë bërë, sepse gjykimi është vetëm në kompetencë të Krijuesit. Të shkarkuar nga ky imponim, besimtarët e besimeve të ndryshme, mund të dialogojnë pa ngarkesa e pa komplekse dhe kjo mundëson njohjen më të mirë të përvojave të tyre dhe afrimin e tyre. Pra, ky model dialogimi, i bazuar në praktikën e “pluralizmit religjioz” (Hofman) që ekziston në jetën reale, do të duhej të promovohej në vendin tonë. Në atë rast jam i bindur se dialogu ndërfetar do të ndihmonte shumë në tejkalimin e problemeve të shoqërisë sonë, në rend të parë në eliminimin e pasojave të çmoralizimit të shoqërisë, që ka ardhur si pasojë e sundimit të gjatë komuno-ateist.

Dy anët e medaljes

Dialogu ndërfetar i ka dy anë, si një medalje. Ata që kanë vullnet të mirë, zgjedhin anën që afron, që prodhon respekt e mirëkuptim. Kjo është ana e vërtetë e një besimi fetar të mirëfilltë, të bazuar në udhëzimet dhe urdhëresat e Zotit. Ndërsa, ata që kanë energji negative, që duan ta keqpërdorin fenë për qëllime politike ose qëllime të tjera, theksojnë ndasitë, diferencat, dhe ato i zmadhojnë e i deformojnë, në mënyrë që të provokojnë intolerancë dhe ekstremizëm. Unë uroj që në vendin tonë po edhe në gjithë botën, të përdoret ana e mirë e interpretimit të besimeve fetare, ajo anë që prodhon njohje, respekt, mirëkuptim e bashkëjetesë paqësore.

E dyta, sa i përekt dialogut ndërkulturor, ai në Kosovë duhet të zhvillohet para së gjithash lidhur me trashëgiminë kulturore, sepse kjo trashëgimi në shumë raste është e përbashkët. Çështja e trashëgimisë kulturore të Kosovës do të duhej të trajtohej vetëm si problem kulturor dhe të rregullohej me ligje, që do të jenë të të njëjtave standarde me shtetet e sotme demokratike europiane. Europianizimi i kësaj problematike e jo riafirmimi i ballkanizimit të saj, paraqet themelin e zgjidhjes së kësaj çështjeje të ndieshme. Mirëpo, ky standard nuk është i arritur lehtësisht, sepse provizionet e Planit të Ahtisarit e kanë parcelizuar trashëgiminë kulturore, duke e minimizuar mundësinë e integrimit në një kulturë të përbashtë identifikuese të vlerave të këtij vendi. Megjithatë, dialogu ndërkulturor do të mund të ndihmonte në njëfarë mase edhe në ndriçimin e të kaluarës historike. Në këtë aspekt ata që mendojnë se Ballkani prodhon histori më shumë se sa që mund të konsumojë, duhet ta kenë para sysh se kjo ka të bëjë me falsifikimin e historisë e jo me të vërtetat e saj. Ky dimension i problemit duhet të zgjidhet me rishikimin dhe rishkrimin e saj, duke u bazuar në fakte dhe vlera të vërteta, dhe duke e parë historinë e gadishullit dhe të këtyre kombeve në kontekstin e historisë evropiane. Këtu janë hapësirat më të mëdha të dialogut ndërkulturor edhe në vendin tonë. Pa e mundur kompleksin e madhështisë së rreme ballkanike, është vështirë të evitohen konfliktet edhe në të ardhmen, e ku trashëgimia kulturore dhe fetare do të përdoret për mobilizimin e vazhdueshëm mbi projeksione nacionaliste.
Në të kaluarën tonë, kultura ka ndikuar fare pak mbi politikën, ndërsa politika ia ka zënë frymën kulturës. Edhe për këtë arsye ka pasur më shumë luftëra se sa paqe, më shumë mosmarrëveshje se sa marrëveshje. Fatkeqësisht, ende nuk jemi shkëputur plotësisht prej kësaj centrifuge shkatërimtare. Me këto elita fetare, kulturore e politike që kemi, jo vetëm në Kosovë, po edhe në Serbi, në Maqedoni e në Shqipëri, besoj se vonesa e shkëputjes nga centrifuga e konfliktit, do të jetë më e gjatë. Përveç në rast se katalizatori potencial, i mishëruar në autoritetin e Bashkimit Europian, arrinë t’ua imponojë një agjendë më integruese e të pakthyeshme si të tillë.

Të ngjashme