Kontributi i kulturës në zhvillimin e shoqërisë ishte fokusi i konferencës dyditore regjionale “Strengthen•ing Culture” që po mbahet në Prishtinë me 21-22 shtator , me mbështetje të projektit prej 1 milion euro nga Bashkimi Evropian (BE).
Duke u mbledhur në zërat rajonal dhe ndërkombëtar, konferenca për fuqizimin e kulturës u fokusua në politikat kulturore dhe kulturën si element për zhvillimin të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.
Qëllimi i konferencës është mundësimi i një reflektimi kolektiv për projektimin dhe zbatimin e qasjeve strategjike që stimulojnë dhe nxisin një sistem kulturor, thelbësor për zhvillimin e shoqërive të qëndrueshme.
Kjo konferencë do t’i lidhë politik-bërësit dhe operatorët kulturor nga Kosova me të tjerët nga rajoni i Ballkanit dhe nga jashtë.
Vehbi Miftari, këshilltar politik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tha se konferenca do të krijojë mundësi të mira për shkëmbimin e ideve, përvojave e praktikave të mira për të krijuar një hartë diversiteti kulturor në vend dhe të përbashkët të bashkëpunimit kulturor të vendeve të rajonit.
“Si Ministri e Kulturës kemi punuar që të avancojmë politikat kulturore, të krijojmë një qasje të re në mënyrën e ofrimit të mundësive për operatorët dhe institucionet kulturore, në mënyrë që kultura të mos trajtohet vetëm si dëshirë, ose luks, por si faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë Miftari.
Do të jetë një mundësi e mirë për të shkëmbyer tregimet dhe praktikat , si dhe për të reflektuar në mënyrë aktive për sfidat e tanishme dhe për fuqizimin potencial të kulturës në shoqëritë e Ballkanit.
Ngjarja u organizua në kuadër të fazës së III-të të projektit “Kultura për të gjithë”, e menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe që zbatohet nga lnterarts, CultureActionEurope dhe ARCS-ArciCultura e Sviluppo.