Të martën fillon punimet konferenca dhe punëtoria “Kur Arti sfidon dhe Dizajni sfidohet”
Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, më 18 dhe 19 prill, do të mbahet konferenca e parë vjetore: “Kur Arti sfidon dhe Dizajni sfidohet”, organizuar nga Fakulteti i Dizajnit të Integruar i UBT-së.
Në ditën e parë të kësaj konference, pjesëmarrës do të jenë artistët e njohur, Ahmet Öğüt dhe Yane Calovski, të cilët do të ligjërojnë dhe do të prezantojnë punën e tyre, duke filluar nga ora 17:00.
Öğüt, për studentët e UBT-së do të ligjërojë mbi ndryshimet në sistemin arsimor përgjatë dekadës së fundit, teksa do të flasë edhe rreth krijmtarisë së tij të begatshme artistike. Kurse, Calovski do te flasë rreth punës së tij si artist dhe do të shtjellojë tematika, të cilat janë në interes për botën e artit, por kanë rëndësi edhe në kontekstin kulturor dhe politik, si nismëtare të artit të pavarur dhe të kulturës skenike, si dhe qasjen e saj në një kuadër më të gjerë, në lidhje me atë që ka të bëjë me pikëpamjen socio-politike.
Ndërkaq, në ditën e dytë të këtij organizimi, në të njëjtin orar kohor, do të ligjërojë dizajneri i njohur slloven, Ajdin Bašić, i cili do të flasë për temën më titull: “Kreativiteti në Epokën e kursimit”, me ç’rast do të tregojë për teknikat që ka zhvilluar dhe punuar në një mjedis me kriza të zgjatura, si dhe do të prezantojë metodat: “The endless grids”, “Continuous books” dhe “Scalable toolboxes”, që mund ta bëjnë procesin e punës më efikas, në afate të caktuara dhe me buxhete të kontrolluara.
Gjatë këtyre dy ditëve të konferencës, do të zhvillojë punimet edhe punëtoria, e cila do të organizohet vetëm për studentët e UBT-së, duke filluar nga ora 14:00.