Kur planifikohen të blihen katër helikopterët e parë për FSK-në, Ministri i Mbrojtjes jep detaje

Prishtinë | 15 Nën 2023 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se në invertarin e pajisjeve me armatim dhe automjete për Forcën e Sigurisë së Kosovës parashihen edhe helikopterët.

Maqedoni tha se një flotë e helikopterëve parashihet të blihet, të prokurohet gjatë fazës së fundit që është faza 2025-2028.

“Ne fillimisht do të kemi flotën prej katër helikopterëve që do të jenë multi-funskional dhe përveç aspektit të mbështetjes ushtarake, do të jenë edhe transportues”, tha Maqedonci.

Ministri tha më tej se tashmë e kanë personelin e trajnuar për këtë.

“I kemi pilotët e certifikuar dhe diplomuar për këtë çështje…”, tha ai.

Duke folur për planifikimet për pajisjen me armatim, ministri tha se nuk janë paraparë tanket.

“Tanku është mjet kryesisht që mundëson sulme, ofensiva… dhe ne jemi të drejtuar në aspektin e mbrojtjes…”, tha ndër të tjera ai.

Po ashtu, Maqedonci tha se përveç dronëve, janë blerë edhe shumë sisteme tjera të armatimit e municioneve.

“Jo vetëm dronët, por të gjitha sistemet e armatimit që i kemi në dispozicion, testohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, përdoren edhe për t’u trajnuar, ushtarët trajnohen për të operuar si mjet, po edhe si ekip. Byraktarët kanë fluturuar mbi qiellin e Kosovës. Jo vetëm dronët Bayraktar, por janë blerë shumë sisteme të armatimit, shumë municione dhe në aspektin e automjeteve taktike të cilat kanë qenë të planifikuara të blihen në faza më të vonshme”, deklaroi Maqedonci.Më tej, Maqedonci tha se nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Kurti, blerja e këtyre dronëve është blerë para kohe, madje me buxhet shtesë.

“Nuk mund të thuhet çështja e numrit apo çështjet teknike të blerjes së dronëve “Bayraktar”. Mund të themi që është kapacitet që është i planifikuar në tabelën organizative të pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, është një kapacitet i parashikuar më herët dhe që është blerë para kohe si mbështetje që e kemi pasur nga Qeveria e Kosovës, pra nga kryeministri Kurti, me buxhet shtesë në këtë çështje”, shtoi tutje ministri i mbrojtjes në Tëvë1.

Të ngjashme