Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë edhe një herë në Express Intervistën në KTV, se VV nuk do ta votojë demarkacionin.
Ka thënë se është një projektligj me 4 nene që përmbajnë shumë kundërthënie e të cilat janë kontradikta që shkaktojnë paligjësi në një vend me të drejta ligjore.
Këtë, ai e ka krahasuar sikur të thuhet “Une po e kalli barutin me ujë”.
Kurteshi tha se kjo është luftë morale se “kush po e merr flamurin e shitjes së Kosovës mes AAK e LDK”.
“Janë dy raporte. Raporti i komisionit “Meha” dhe “Bulliqi”. Ato e përjashtojnë njëra tjetrën”, tha ai.
VV e ka dorëzuar kallëzimin penal për Presidentin Hashim Thaçi për shkak të dyshimit të bazuar se me veprimet e ndërmarra në emër të tij dhe në cilësinë e Presidentit ka kryer veprën penale nga Neni 124, paragrafi 2 lidhur me nenin 120 pika 25, 26, 27 dhe lidhur nenit 2 të KPRK-së.
“Vepra penale e konsumuar lidhet me cenimin e territorit të Republikës. Cenimi i territorit vërtetohet nga Raporti zyrtar i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit”, tha ai.
Kurteshi tha se kjo është marrëzi që iu servohet qytetarëve të Kosovës.
“Deputetë s’po i shohin interesat e qytetarëve. Shefi u thotë votone, këta menjëherë e votojnë. Marrëveshja është marrëveshje ndërkombëtare që kërkon ratifikim, ku teksti para se të nënshkruhet nga ish ministri i punëve të jashtme, pra tash presidenti Thaçi, duhet të sillet të diskutohet me partitë politike, të merret një miratim e më pas të nënshkruhet”, tha ai.
Për ata deputetë që duan ta votojnë demarkacionin, Kurteshi thotë se i kanë shndërruar deputetët në makina votuese dhe se sipas tij, ata nuk votojnë me kokën e tyre, pasi kështu nuk po u intereson që Kosova humb 8200 hektarë tokë.
Padinë ndaj Thaçit, e ka quajtur tradhti kombëtare, dhe se ai konsumon vepër penale sipas kodit penal.
Por megjithatë, ka thënë se nga Prokuroria Speciale e Kosovës, s’është që presin të marrin ndonjë hap të duhur.
“Duke marrë parasysh gjendjen në sistemin drejtësisë në Kosovë, nuk presim asgjë. Nuk shoh ndonjë prokurë që do ta thirr presidentin për këtë vepër penale ta marrë në pyetje, por ne si deputetë, e kemi kryer punën tonë që është obligative. Ne e kemi bërë këtë ligjërisht”, përfundoi ai.