Kurti: Ambasadori Jashari pritet t’i vizitojë gjatë javës tre policët e kidnapuar të Kosovës

Prishtinë | 18 Qer 2023 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

I pari i Qeverisë, Albin Kurti sot para gazetarëve ka deklaruar se ambasadori Jetish Jashari pritet që gjatë javës t’i vizitojë tre policët patrrullues kufitar të Kosovës, të cilën u kidnapuan nga forcat serbe të mërkurën e 14 qershorit në fshatin Bare në veri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kryeministri i vendit tha se po bëjnë çdo gjë që tre policët të lirohen sa më shpejtë dhe të pacënuar.

Ai gjithashtu u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë këtë agresion të 14 qershorit nga ana e Serbisë.

“Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejtë, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër i ftojmë edhe njëherë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë agresionin e Serbisë me 14 qershor, ku njësitë e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policiët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht tek një rrugë e mbyllur ilegale e kontabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti para gazetarëve.

Por, sot, në një konferencë për media, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë shenja për lirimin e tre policëve, pasi siç tha ai me ta do të merret ministria e Drejtësisë.

Vuçiq para gazetarëve në Beograd tha se policët nuk janë prekur dhe nuk ju mungon asgjë.

Por, lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pakushte e ka kërkuar për të dytën herë, mbrëmë, ShBA-ja. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha në një deklaratë se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të pabaza, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të pabaza ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet në deklaratë.

Kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.

Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe.

Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.

E njëjta kërkoi që Kosova e Serbia të shmangin veprimet e njëanshme, të kenë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet.

“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në reagimin e qeverisë britanike.

Gjykata e Lartë në Kralevë të premten ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët u rrëmbyen dy ditë më parë brenda territorit të Kosovës./Reporteri.net/

Të ngjashme