Kurti: Anëtarësimi në BE, zgjidhje për kërcënimet e Serbisë ndaj sigurisë

Prishtinë | 04 Mar 2024 | 10:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti në konferencën ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” ka thënë se Serbia po përpiqet të pengojë përparimin e rajonit në integrimin evropian. Ai ka theksuar se përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga vendet perëndimore, duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sipas kryeministrit kosovar, Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga regjimi autokratik në Serbi, i cili është nxitur nga pushtimi i Ukrainës.

“Perspektiva euroatlantike duhet të përforcohet. Duke u rreshtuar bashkë me parimet dhe vlerat e NATO-s ata që dëshirojnë me të vërtetë mund të shfrytëzojnë një mori mundësish. Rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik nuk është një rrugëtim që mund të niset vetëm”, tha Kurti.

“Besoj që përparimi demokratik nuk duhet të merret i mirëqenë. Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë. Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit, përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga të gjitha fuqitë.

“Diplomacia parlamentare është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Rruga drejt bashkëpunimit rajonal ka edhe pengesat e veta. Ka ende hatërmbetje historike të cilat shpesh herë rrezikojnë që të na ndajnë. Ideja që disa etni raca dhe grupe janë superiore ndaj të tjerave është një paragjykim i vjetër”, u shpreh ai.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se diplomacia parlamentare është e rëndësishme për të ndihmuar Evropën në navigimin e kompleksiviteteve dhe përballjen me narrativat e vjetra.

“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socio-ekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”.

Sipas tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor shihet se si regjimi në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë.

Kreu i Qeverisë tha se në dy vitet e para të qeverisjes Serbia ka sjellë katër herë ushtrinë te kufiri, ka sponsorizuar terrorizmin, ka shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e saj ndaj Kosovës dhe rajonit.

Superioritetin e një grupi ndaj tjetrit Kurti e ka quajtur steriotip të vjetër, teksa ka bërë thirrje për dialog dhe gjithpërfshirje.

Ai ka folur edhe për luftën hibride. “Megjithëse interneti ka lidhur miliarda njerëz, po shohim se e njëjta teknologji dhe e njëjta platformë, çdokush me një llogari në media sociale mund të shpërndajë narrativat e tij. Kjo ka bërë që tendenca për të kulluar ato që nuk i përforcojmë por ne shohim fushata të dezinformimit që nuk bazohet në fakte por në lajme të rreme, pra luftë hibride”, tha Kurti.

Konjufca: Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive

Nën organizim të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe me mbështetje të organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), filloi sot në Prishtinë Konferenca ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”.

Në këtë konferencë po marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës, diplomatë të huaj, përfaqësues nga shoqëria civile etj.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, në cilësi të nikoqires gjatë ceremonisë së hapjes theksoi se në këtë konferencë, e cila po organizohet për herë të parë në Kosovë, do të diskutohet për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe për tema të tjera që lidhen me bashkëpunimin dhe zhvillimin e demokracisë.

“Po ashtu do të diskutohet për sigurinë në një kohë kur konfliktet janë aktuale në disa vende të botës, për rolin dhe ndikimin e shoqërisë civile dhe mediave në demokratizimin e shoqërisë tonë dhe të ardhmen, që sigurisht është synim i të gjithëve, një përpjekje që të kemi një të ardhme sa më të ndritur për vendin tonë”, tha Kryeziu-Hyseni.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se diplomacia parlamentare është një nga mjetet më të fuqishme për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.

“Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive me parlamentet e vendeve mike, por edhe krijimi i miqësive të reja me deputetë dhe përfaqësues të vendeve që ende se kanë njohur Kosovën”, tha kryetari Konjufca.

Sipas tij edhe vet shtetësia e Republikës së Kosovës ka kaluar nëpër procese diplomatike.

“Vetëkrijimi i shtetit të Kosovës ka marrë shumë përpjekje diplomatike dhe ka kaluar në shumë faza të trajtimit diplomatik”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i legjislativit përmendi disa institucione të rëndësishme evropiane, pjesë e së cilave është Kuvendi i Kosovës, ndërsa shtoi se po punohet për forcim të bashkëpunimit diplomatik.

“Jemi pjesë e Këshillit të Evropës, Kuvendi e ka një delegacion atje, i cili vërtet bën një punë të mirë. Jemi pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e Asamblesë Parlamentare për Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, e po ashtu edhe pjesë e Frankofonisë dhe shumë trupave të rëndësishëm në botë, në të cilët Kosova jep kontributin nëpërmjet pranisë së përfaqësuesve të saj”, tha kryetari Konjufca.

Drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovë, Peter Hurrelbrink, ndërkaq tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi, por kjo kërkon një numër të madh reformash në vendet e rajonit.

“Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirjen e shoqërisë civil dhe mediave në rolin primar dhe shumë reforma tjera që duhet të bëhen për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Hurrelbrink.

Konferenca po vazhdon punimet me panelistë të tjerë.

Të ngjashme