Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufcën dhe koordinatoren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, pritën sot në takim Ambasadorin e Francës, Didier Chabert, zëvëndësen e misionit, Carole Blestel-Feffer, zyrtarin për çështje politike Timothée Barbier dhe zyrtaren Fikrije Pllashniku.
Në takim u diskutua për situatën politike në vend, duke u ndalur në veçanti te dialogu Kosovë-Serbi.
Kurti e njoftoi Ambasadorin Chabert për qëndrimin e Lëvizjes karshi dialogut, duke thënë se një President që negocion pa platformë e pa mandat është i vetëm dhe nuk ka mbështetje për lojën e tij të rrezikshme. Për t’i përfshirë të tjerët në aventurën e tij, Presidenti Thaçi njëherë u mundua ta përdor si karrem ulësen për Kosovën në OKB, kurse tash po përpiqet që përsëri si karrem ta përdor rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Më tej Kurti theksoi, se njohja e pavarësisë së Kosovës, reciprociteti i të drejtave në të dy vendet dhe ballafaqimi me të kaluarën është formula e cila siguron paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ne duhet të flasim dhe të punojmë për të drejtat e qytetarëve serbë në Republikë, e jo për pazare të presidentëve autoritarë me territore. Për marrëdhënie të mira fqinjësore Serbia duhet të ndryshojë shumë. Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë dëshmon pikërisht të kundërtën.
Ambasadori Chabert nënvizoi përkushtimin e Francës për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në problemet e tyre të ndërsjellta në rrugën evropiane, e veçanërisht Kosovën, duke u interesuar sidomos për reformën në sistemin e drejtësisë.
Palët u dakorduan për kontakte të shpeshta e takime të vazhdueshme.