Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se nesër do të zhvillojë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, raporton Ekonomia Online.
Kurti bëri të ditur se në takimin e nesërm do të diskutohet për çështjet e mbetura rreth idesë për planin qeverisës.
Sipas tij nuk ka kohë të humbet sepse certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve bëhet javën që vjen.
“Pra nesër do të takohem me z. Mustafen dhe ne duhet të ecim me shpejtësi tash drejtë formimit të Qeverisë sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve. Unë besoj se duhet të diskutojmë dhe besoj se është mirë që t’i diskutojmë të gjitha sepse në fillim të javës së ardhshme do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe është mirë që mos të humbim kohë. Pra nuk është e thënë që t’i mbyllim temat, por mendoj që është koha t’i hapim ato”, tha Kurti.
Kurti komentoi edhe deklaratat e LDK-së që posti i kryeministrit baraspeshon me gjashtë apo më shumë ministri, duke thënë se diçka e tillë nuk qëndron, përkundër populli i Kosovës përmes votës e ka zgjedhur atë për kryeministër.
Ai tha se në takimin e nesër do të diskutohet edhe për postin e Presidentit.
“Ne do të diskutojmë me Mustafën për postin e Presidentit, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta dhe ato karrige të zbrazëta janë të kryeministrit dhe kryetari të Kuvendit dhe unë besoj se kjo është detyrë më urgjente që kemi”, tha ai, raporton Ekonomia Online.