Kurti do të mbetet në histori… si shembulli i politikanit të keq

Prishtinë | 25 Nën 2024 | 17:22 | Nga Ndue Ukaj

Disa politikanë shfaqen në skenën politike të një vendi dhe mbeten përherë si modele frymëzuese, siç është Ibrahim Rugova, kurse disa të tjerë, janë të dënuar që të shërbejnë në histori si shembuj të këqij, që breznitë e reja, përmes tyre të dinë të bëjnë dallimin mes të mirës e të keqes.

Shembulli i politikanit të keq është Albin Kurti, të cilin, breznitë e ardhshme politike, nëse historia do të shkruhet drejt e pa shtrëngime ideologjike, do ta skajojë diku, si shembullin më të shëmtuar të viteve të shtet ndërtimit të vendit tonë.

Një politikan arrogant, kokëkrisur, që retorikën e ashpër e përdorë për ta izoluar vendin e vet, kurse shndërrimin politik e bën, jo për të evoluar e mësuar, por për të përfituar vetëm elektorat, rrjedhimisht pushtet.

Gati njëzet vite, për aq sa ishte në opozitë, herë në rrugë e herë në Parlament, ka bërë me gisht kah të tjerët, duke treguar se si nuk duhet të qeveriset dhe sa të këqij janë tjerët, por tash e pesë vite, që kur është në pushtet e zotëron pushtet pafund, nuk di të tregojë si duhet të qeveriset, kënd e do, çfarë vizioni ka, duke mebtë kështu kryeministri me më së paku vepra dhe me skandale të pafundme.

Pra, në këtë fund mandat, ajo që nuk duhet të gëlltitet nga njerëzit racionalë të vendit tonë, është të mos duartrokiten veprimet të tij prej kameleoni politik, të tipit të endacakut, që sa e sheh në një kauzë ultra liberale e sa në një tjetër ultra konservative.

Kjo të bën të kuptosh se ai nuk është i vërtetë, në asnjërën, rrjedhimisht, ai nuk është i vërtetë as kur bëhet se e do Ibrahim Rugovën e kujdeset për shtëpinë e tij e nuk ishte i vërtetë as kur e fyente me termat më negativ të mundshëm.

Ngjitja e Kurtit në kulmin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, ka vetëm një lidhje – me interesa elektorale – ngaqë ai e di, dhe ky fakt dihet mirëfilli në Kosovë: Rugova edhe si i vdekur shërben si hambar politik për të gjitha partitë. Prandaj, ngjitja e tij në kulmin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, tashmë kur hovi i degradimit të tij politik ka marrë udhë pa kthim, duhet të kuptohet e të lexohet vetëm me terma elektoral. Pra, thënë me një gjuhë simbolike, Rugova po tentohet të përdoret si strehë e madhe politike, për politikanin që bën jetë prej endacaku, pa strehë të veten. Dhe në kohë shtrëngatash, strehët më të sigurta janë ato të dëshmuarat historikisht.

Në gjithë këtë parehati të madhe politike në të cilën ndodhet Kosova, vendi më i izoluar sot në Europë, me tensione tepër të mëdha e një gjendje të brendshme toksike, ajo që më brengos pamasë, është një gjendje infantile e një pjesë të madhe të atij që mban emrin komunitetit intelektual, e që, kritikën e revoltën e bën në kafene dhe mjaftohet me kaq. Një shurdhim e memecëri e kësaj pjesës të rëndësishme të shoqërisë, natyrisht se i konvenon fuqisë së pushtetit, kudo në botë, sidomos në vendet të pakonsoliduara, ku nuk ka traditë politike e ky yryshi pas pushtetit, njerëzit i shpërfytyron.

Çfarë e karakterizon pushtetin e sotëm në Kosovë?

E para që duket me lehtësi është arroganca, dhe, siç kanë vërejtë të mençurit, arroganca është barasvlershme me injorancë ose edhe më e keqe.

E dyta është një si paralizë mendore, ku, njerëzit e pushtetit, edhe në ditë shtrëngate dimërore, kanë guximin të dalin në dritare e t’iu diktojnë njerëzve iluzionet e tyre se jemi në ditë të ngrohta e me temperatura verore.

Pra, pushteti i sotëm në Kosovë nuk përdor kurrfarë kompasi moral, nuk bëhet fjalë të pranojë ndonjë faj e përgjegjësi dhe për çdo dështim, ka më së paku një justifikim.

Propaganda më e keqe në historinë njerëzore është propaganda e shtetit, prandaj, këtë propagandë, jo vetëm për interesa politike, por parasëgjithash kulturore, shoqëria jonë duhet ta refuzojë ashpër; kësaj propagande duhet t’i bëjmë refuzim estetik e praktik.

E di se nuk përbën kurrfarë risi të përsërisim fraza të njohura, se mashtrimi në politikë është mashtrim dhe natyrisht sjell pasoja, të cilat po i paguan shumë shtrenjtë vendi ynë, por, meqë jemi popull me kujtesë të shkurtë, këto tema elementare duhet t’i përsërisim sa më shpesh, deri sa t’I mësojmë mire.

Fundja, që të kujdesemi pak e ta ajrosim mjedisin etik e social të vendit nga gjithë ato elementë toksik, t’i hapim dyert e dritaret e të ajrosemi me vlera të njëmenda të demokracisë perëndimore, për çka kemi sakrifikuar e luftuar e për çka kemi nevojë si për ujë, ajër, e diell, sepse këto vlera, hapin shtigje për progres.

Përçarjet e mosdurimi, në vendin tonë kanë marrë trajtë të frikshme, ngaqë furia e pushtetit turfullon natë e ditë, kundër çdo kujt që nuk apllaudon politikat e tyre, edhe kur vetëdijshëm çirren se po fluturon gomari.

Kjo mendësi nuk ka lidhje me demokraci e me vlera njerëzore.

Kurse në planin e jashtëm, ky pushtet do të mbahet mend në historinë tonë më të re si një pushtet, që me kazme u ka hyrë themeleve të shtetit tonë, duke tentuar t’i largojë gurët e këndit që mbajnë ngrehinën tonë shtetërore, që janë miqësitë me perëndimin. Dhe fakti që Kosova është nën sanksion përbën një gjendje alarmi që duhet ta bëjë secilin njeri të këtij vendi të ndihet keq dhe me faj.

E kam thënë dhe përsëritur shpeshherë, se, në hapësirat shqiptare, por edhe në Ballkan, sa herë janë pakuar vlerat perëndimore, është zymtuar gjithçka dhe është vyshkë jeta njerëzore. Prandaj, të besosh e të shpresosh, se kjo mendësi mund t’i sjell vendit tonë ndonjë rezultat të mirë, është si të besosh se pas këtyre netëve me acar e ngrica, nesër temperaturat do të arrijnë në 30 gradë celsiusë në vendin tonë.

Dhe për fund, nuk duhet shumë informacione, dije e ekspertizë, për të kuptuar si flasin këta udhëheqës me botën, me ata që na duan vërtet e që e kanë provuar me besnikëri këtë dashuri. Mjafton t’iu bësh këtyre një regjistër gjuhësor dhe sheh çfarë varfërie përfaqëson gjuha e tyre.

Imagjinojeni me çfarë argumente infantile flasin me bashkësinë ndërkombëtare e me partnerët tanë!

Prandaj, sot, askush në perëndim nuk iu beson. Sepse, besimi është vlerë e madhe njerëzore, është blatimi përpara fjalës që kthehet në veprime, dhe jo mendësia bashibozuke, të flasësh diçka, të mendosh diçka tjetër e të veprosh krejt diçka tjetër.
@highlight

Të ngjashme