Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kanë vizituar shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, në shënim të përvjetorit të mësimit në gjuhën turke.
Sot, kur bëhen 72 vjet prej se qytetarët e Kosovës patën mundësinë të mësojnë edhe në gjuhën turke, kryeministri Kurti tha se ndjehet krenar për këtë traditë kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
Para stafit mësimdhënës të kësaj shkolle, kryeministri Kurti tha janë të lumtur që vjet qeveria ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore mësimore edhe të tilla, që janë cilësore e në gjuhën turke. Po ashtu, ai përmendi edhe Strategjinë e Arsimit për vitet 2022-2026 që përfshinë subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore dhe materialeve të tjera në gjuhën turke, por edhe në gjuhët e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.
“Ne gjithashtu do të ofrojmë mundësi për studentët që mësojnë gjuhët siç mund të jetë dhe gjuha turke për shqiptarët këtu në Prishtinë, sepse duhet të mësojmë gjuhët e njëri-tjetrit. Të kuptojmë më mirë e bashkëpunojmë më shumë. Edhe individët edhe shteti përfitojnë më shumë nga avantazhet në tregun ndërkombëtar, si dhe solidaritet në nivel të Republikës kur njerëzit kanë mundësi të komunikojnë me njeri-tjetrin”, tha kryeministri Kurti.
Duke i falënderuar stafin e shkollës, mësimdhënësit, por edhe nxënësit për përkushtimin që e kanë për arsim, ai tha se beson që do të mësojnë shumë për të kontribuar për vetën e tyre, për familjen, për komunitetin dhe për Kosovën më gjerësisht, por edhe përtej kufijve tanë.
Fjala e kryeministrit Kurti gjatë vizitës në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Elena Gjika”:
Ju faleminderit shumë zëvendësdrejtoresha Glloboder,
Të nderuar ministra, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci dhe ministër i Zhvillimit Rajonal, z.Fikrim Damka,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, z. Enis Kervan dhe znj. Fidan Jilta,
I nderuar staf mësimor,
Të nderuar nxënës,
Mirëmëngjesi dhe Günaydın,
Sot bëhen 72 vjet prej se qytetarët e Kosovës patën mundësinë të mësojnë edhe në gjuhën turke. Jemi krenarë për këtë traditë kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
Jemi të lumtur që vjet qeveria jonë ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore mësimore, edhe të tilla që janë cilësore e në gjuhën turke. Si dhe Strategjia e Arsimit për vitet 2022-2026 përfshinë subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore dhe materialeve të tjera në gjuhën turke, por edhe në gjuhët e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu ne planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin për komunitetet, të mbështetura në materiale mësimor dhe materiale të tjera të cilët paraqesin domosdoshmëri për mbështetjen profesionale për shkollat ku ofrohen këto mundësi edhe në gjuhën shqipe pra, në gjuhën e popullsisë shumicë. Këto shpresojmë që do të ndihmojnë që i gjithë materiali, edhe pra i shtypur edhe dixhital, që u nevojitet për arsimin sa më cilësor në këtë shkollë edhe në të gjitha shkollat e tjera të Kosovës të ketë qasje të lehtë e të shpejtë për të gjithë nxënësit.
Ne gjithashtu do të ofrojmë mundësi për studentët që mësojnë gjuhët siç mund të jetë dhe gjuha turke për shqiptarët këtu në Prishtinë, sepse duhet të mësojmë gjuhët e njëri-tjetrit. Të kuptojmë më mirë e bashkëpunojmë më shumë. Edhe individët edhe shteti përfitojnë nga avantazhet në tregun ndërkombëtarë si dhe solidaritet në nivel të Republikës kur njerëzit kanë mundësi të komunikojnë me njeri-tjetrin.
Por, para se të mësojmë gjuhët e njëri-tjetrit të gjithë e dimë se duhet të jemi të sigurt në gjuhën tonë dhe se arsimimi më i mirë është ai në gjuhën amtare.
[Dëgjohet zilja e shkollës] Besoj që edhe pse ra zilja mund të vazhdojmë. Kur kam qenë unë nxënës kur binte zilja ose fillonte ose përfundonte, por tash po vazhdon.
Ju e keni këtë mundësi dhe ne do ta mbrojmë të drejtë tuaj. Besojmë që do të mësoni shumë për të kontribuar për vetën tuaj, për familjen tuaj, për komunitetin tuaj dhe për Kosovën më gjerësisht, por edhe përtej kufijve tanë.
Ju falënderoj edhe juve si staf i shkollës, si mësimdhënës, si nxënës për përkushtimin që e keni për arsim.
Së bashku po e festojmë faktin që në Kosovë ekzistojnë këto mundësi për arsimim në gjuhën amtare që inspiron fëmijët sa më shumë.
Siç ka thënë edhe Nelson Mandela “Nëse i flisni dikujt në gjuhën që ai e kupton, ose ajo e kupton, mesazhi përcillet në trurin e tij ose të saj. Por nëse i flisni dikujt në gjuhën amtare, atëherë mesazhi përcjellët në zemrën e tij apo të saj”.
Pra, jo vetëm urime dhe falënderime, por edhe Tebrikiler dhe Teşekkür.