Kryeministri Albin Kurti të enjten ka marrë pjesë në ditën e dytë në edicionin i 11-të të DOKU.TECh ku mbi 900 të ftuar diskutojnë për inovacionet teknologjike, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Qeverisë pa nga afër punimet në DOKUTECh pjesë e iniciativës më të madhe OctoberTech Kosova, një projekt vizionar i udhëhequr nga Qeveria e Kosovës për të ofruar një hapësirë ku lojtarët kryesorë në teknologjinë dixhitale mund të bashkohen për të promovuar inovacionin, për të shkëmbyer njohuri dhe për të ndërtuar bashkëpunime që e çojnë industrinë përpara.
Adelina Qarri-Hoxha, zyrtare e lartë e projekteve ne Ipko Foundation, njëherësh menaxhuese e projektit, ka thënë se ky është viti i njëmbëdhjetë që po organizohet DOKU.TECh, kësaj here në kuadër të nismës “October Tech Kosova”.
Ajo ka theksuar se po punojnë më së shumti me të rinj sepse njohja dhe praktika e teknologjisë është shumë e rëndësishme për moshat e reja dhe zhvillimin e vendit.
DOKUTECh është pjesë e nismës OctoberTech Kosova, e cila gjithashtu përmban ngjarje të tjera kryesore si KosICT dhe GrowthTank.