Grupi punues për hartimin e Projekt Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale është mbledhur për herë të parë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti, tha se është momenti i fundit që Kosova të ballafaqohet me të kaluarën. Sipas tij, duhet që të ketë bashkëpunim ndërmjet të gjitha institucioneve në mënyrë mos të themelohen nisma të përsëritura.
Kurti shtoi the se gabimi më i madh që kanë bërë institucionet është se janë përsëritur të gjeturat dhe gjërat kanë mbetur vetëm në letër.
Por sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të gabojë e as të eksperimentojë më me këtë temë duke shtuar se sepse qëllimi është i përbashkët e ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive.
Kjo thotë ai do t’u shërbejë brezave pas nesh, por që duhet të vendoset edhe drejtësia e që në Kosovë nuk ka ndodhur kjo dhe këtë e meritojnë e viktimat e krimeve.
“Nevoja për bashkërendim për iniciativë të ndryshme u folën në takimin e kaluar, ky është momenti i fundit për ballafaqim me të kaluarën. Është e rëndësishme që të kemi koordinim të duhur në mënyrë që të kemi konsistencë, nuk i bëjmë nder as vetës as bartësve të dëmit nëse krijojmë nisma që e përsërisin vetveten. Strategjia duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara. Problemi dhe gabimi më i madh është që kemi pasur nisma ad-hoc që kanë përsëritur të gjeturat dhe nuk kanë adresuar këtë temë, kjo është vetëm një nga arsyet që kjo strategji të ofrojë platformë veprimi ndërmjet nismave dhe të shërbejë si referencë”.
“Ne e kemi bërë të qartë në ballafaqim me të kaluarën, me shumë rëndësi është që strategjia mos të mbetet në letër. Nuk do të jetë e lehtë, por ka interesim nga ekspertët që të na ndihmojnë në këtë drejtim. Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë me, nuk kemi mundësi të eksperimentojmë e të dështojmë, të bashkojmë forcat të gjithë sepse qëllimi është i përbashkët e ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive që u shërben brezave pas nesh, por paqja kërkon drejtësi, në Kosovë nuk ka ndodhur drejtësia e viktimat e meritojnë atë”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë marrë një varg masash sa i përket hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, duke përmendur themelimin e Instituti për krimet e luftës.
Edhe Haxhiu ka bërë thirre që të gjithë të bashkohen në hartimin e strategjisë, raporton EO.
“Ne kemi marrë disa veprime për krimet e luftës, prej ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale te gjykimi në mungesë, kemi shtuar edhe katër prokurorë në PKRS, kemi themeluar edhe grupin punues për Institutin për krime të luftës, në shator do të kemi gjëra konkrete”.
“Strategjia do të jetë gjithëpërfshirëse, hapësirë për të gjithë të interesuarit duhet të ketë. Ne si ministri jemi përkushtuar që ajo të jetë e hartuar sipas ligjeve vendore dhe ndërkombëtare. T’i bashkojmë forcat në interes të të gjithëve”.
Baki Svirca, kryesues i grupit, tha se përmes ballafaqimit me të kaluarën synohet rritej e besimit të qytetarëve.
Fjalimi i kryeministrit Kurti:
E nderuar Ministre Haxhiu,
I nderuar z. Svirca,
Të nderuar partnerë vendorë e ndërkombëtarë,
Të nderuar anëtarë të grupit punues,
Para disa muajve, pikërisht në këtë sallë e hapëm takimin e parë të grupit punues për hartimin e koncept dokumentit për themelimin e mekanizmit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Ndërkaq sot po e nisim takimin e parë të grupit punues për hartimin e strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale.
E nisa këtë fjalë timen duke përmendur grupin punues për mekanizmin për shkak se e mbaj mend që herën e kaluar, një ndër diskutimet më me rëndësi gjatë takimit, ishte nevoja për bashkërendim midis iniciativave të ndryshme. Diskutim ky me shumë rëndësi sipas mendimit tim. Siç e pata thënë edhe herën e kaluar, ky është momenti i fundit për ballafaqim me të kaluarën. Është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur. Matjen e dëmeve, riparimin e tyre, përmbushjen e së drejtës për të vërtetën për viktimat e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre.
E pikërisht sepse ky është momenti i fundit, është tejet e rëndësishme që gjërat t’i bëjmë siç duhet. Është absolutisht e nevojshme që të kemi koordinim të duhur në mes të grupeve punuese në mënyrë që të kemi konsistencë ndërmjet produkteve që nxirren.
Nuk i bëjmë nder as vetes, e as bartësve të dëmit në Kosovë, në rast se vazhdojmë të krijojmë nisma të cilat bien ndesh me njëra-tjetrën ose përsërisin vetveten.
Duke qenë se jemi në momentin e fundit me hapësirën e nevojshme për të adresuar atë që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsideroj që është thelbësore që ta kemi të qartë një gjë të tillë.
Strategjia nacionale për drejtësinë tranzicionale duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara si degëzime nga një burim i përbashkët, e që është nevoja për adresim të së kaluarës.
Unë jam i bindur që një strategji e mirë do të mund të shërbejë si ombrellë. Një strategji që hartohet duke marrë parasysh gjithë sa është bërë deri tani, të adreson gabimet e bëra dhe të bëhet thirrje për plotësimin e zbrazëtirave të lëna e na udhëzon në rrugën që duhet ndjekur përpara.
Problemi dhe njëkohësisht gabimi më i madh i Kosovës si shtet dhe i Qeverive të Kosovës, ka qenë që kemi pasur nisma të panumërta ad hoc, të cilat në mungesë të bashkërendimit nga shteti, kanë përsëritur të gjeturat dhe nuk kanë arritur të adresojnë ashtu siç duhet e as siç e meritojnë bartësit e dëmit.
Kjo është vetëm një nga arsyet pse është me shumë rëndësi që kjo strategji të bëhet me qëllimin kryesor, që të ofrojë një platformë veprimi e besa edhe koordinimi në mes të nismave, por ashtu edhe në formë individuale të shërbejë si platformë reference për të gjithë ata që merren me ballafaqimin me të kaluarën.
Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën. Për momentin ekzistojnë disa nisma që janë në proces e sipër, të gjitha të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës. Përtej asaj që kjo strategji duhet të përfshijë të gjitha këto nisma, duhet që të ekzistojë edhe bashkëpunim i ngushtë e kuptimplotë në mes tyre.
Edhe pse është ende shumë herët që të flasim për rezultatin e Strategjisë, për Qeverinë tonë është me shumë e rëndësishme që kjo strategji të mos mbetet vetëm në letër. Për këtë dëshiroj që qysh në takimin e parë të bëj thirrje për themelimin e një trupi mbikëqyrës të Strategjisë, që do të themelohej me vendim të Qeverisë.
Të jeni të sigurtë, që për mua e as për Qeverinë që udhëheq unë, nuk është e rëndësishme që të kemi edhe një dokument tjetër edhe një dokument më shumë, që do të na bëjë të dukemi mirë në publik, por që nuk do të ofrojë asnjë zgjidhje substanciale në raport me ballafaqimin me të kaluarën.
E kam shumë të qartë që nuk do të jetë aspak lehtë, asnjëra prej nismave të ndërmarra në këtë drejtim, përfshirë edhe strategjinë këtu. Megjithëkëtë ne kemi pranuar interesimin nga shumë ekspertë të drejtësisë tranzicionale – vendorë e ndërkombëtarë, të cilët janë më se të gatshëm të na ndihmojnë në këtë drejtim. Andaj, kjo e bën të përballueshëm këtë proces dhe e ulë rrezikun e përsëritjes së gabimeve të njëjta.
Po e përmbyll fjalën time duke theksuar ato që i kam përmendur edhe herën e kaluar, sepse konsideroj se janë njësoj relevante edhe sot.
Ne nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe.
Nuk kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona.
Për këtë arsye është kruciale që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin.
Të gjithë.
Shoqëria civile, organizatat shtetërore, hulumtuesit e pavarur, ekspertët e jashtëm, qytetarët, pra të gjithë.
Sepse qëllimi i të gjithë neve besoj që është i përbashkët, e ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme, brezave që vijnë pas nesh.
Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por, mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur mend është, që paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.