Kurti flet për Rregulloren e BQK-së nëpër takimet në Munih

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime gjatë qëndrimit në Munih për Konferencën e Sigurisë.

Në thelb të bisedimeve që ka zhvilluar ka qenë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ai u takua me deputeten finlandeze Tytti Tuppurainen, të cilën e njoftoi “me qëllimet e kësaj rregulloreje dhe kujdesin e institucioneve të vendit për të siguruar zbatim sa më të lehtë të saj”.

Ai i tregoi për periudhën tranzitore që në fokus ka informimin dhe planin 10 pikësh të Bankës Qendrore për zbatim të lehtësuar, njoftoi Zyra e Kryeministrit në një komunikatë.

Në takim, gjithashtu u fol edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më pas u takua edhe me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željko Komšić, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në dy shtetet dhe ndanë këndvështrimet e tyre mbi ato në rajon, me theks në rrafshin e sigurisë.

Edhe atij Kurti i ka folur për Rregulloren e BQK-së.

Po ashtu, Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve.

“Kjo marrëveshje do të lehtësonte rritjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”, njoftoi ZKM.

Ndërkohë, takoi edhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin po ashtu folën ndër tjerash edhe për Rregulloren. Theks i ka dhënë mundësisë për investime në Kosovë nga kompani greke.

“Theks të veçantë gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti i dha prioritizimit që i ka bërë Qeveria energjisë së ripërtëritshme dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investime në këtë sektor. Ai e njoftoi kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MW, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke”.

Të ngjashme