Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se Vjosa Osmani do të marrë besimin e deputetëve për ta udhëhequr shtetin, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka paralajmëruar se së shpejti mund të thërrasin seancën e Kuvendit, ku do të votohet për presidentin e ri të vendit, e që sipas tij, s’ka dyshim se do të jetë Vjosa Osmani.
Ai u shpreh se dy hapa shumë të rëndësishëm zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e Qeverisë janë kryer.
“Hapi i parë ishte zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, hapi i dytë ishte zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, ka ngelur edhe hapi i tretë edhe atë do ta kurorëzojmë me sukses, pra zgjedhjen e presidentës së Republikës”
“Besoj që sapo të bëhet zëvëndësimi i deputetëve që u bënë ministra ose zëvëndëskryeministra dhe ju bashkuan Kabinetit Qeveritar do të mund të thërrasim një seancë të radhës në të cilën pa dyshim atë që e votoi popoulli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës.”.
Përderisa kur foli për dokumente dhe raportet e pranuar nga paraardhësi i tij, ish-kryeministri Avdullah Hoti, ai tha se do t’i shqyrtojnë dhe do të japin një përgjigje ditët në vazhdim, raporton EO.
“Për hollësitë e politikave ditore do të përgjigjem në një ditë tjetër dhe materialin që e kemi pranuar ne do ta shqyrtojmë dhe pas një analize do të japim përgjigje meritore”, ka thënë ai.
Këto komente, Kurti i bëri pas homazheve te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.