Kurti: Kosova prijëse e respektimit të lirisë së besimit e fesë, e para në rajon edhe për sundim të ligjit

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 09:34 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare, raporton Ekonomia Online.

Kurti me këtë rast tha se në Kosovë liria e besimit dhe e fesë janë të garantuara, duke shtuar se edhe para miratimit të ligjit respektimi i lirive fetare ka qenë në nivel.

Madje ai tha se Kosova qëndron e para në rajon sa i përket sundimit të ligjit dhe qëllim ka që të arrijë standardet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ndër qëllimet  e projektligjit është përditësimi i kornizës ligjorë për liritë fetare. Liria e besimit dhe fesë është e garantuar. Liria e besimit dhe fesë ngërthen të drejtën për të pranuar fenë. Konventa për të drejtat e njeriut përcakton se çdokush ta të drejtën e lirisë së mendimit dhe fesë”.

“Edhe para se te miratohej projektligji, Kosova qëndron mirë për respektimin fetar. Kosova qëndron e para në rajon në sundimin e ligjit. Edhe në këtë fushë Qeveria synon të arrij standarde në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

“Një shoqëri e hapur si Kosova mirëpret qytetar nga çdo kënd i botës. Ndër qëllimet e projektligjit është për të promovuar këtë pluralizëm fetar”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

I nderuar Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Jeffrey M. Hovenier,

Të nderuar krerë dhe përfaqësues të bashkësive fetare,

Të nderuar zyrtarë të institucioneve, të organizatave vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjes dhe mirë se erdhët në diskutimin publik të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Liritë Fetare në Kosovë. Ligji bazik për Lirinë Fetare, i cili është aktualisht në fuqi, u miratua më shumë se 15 vjet më parë, me 24 gusht 2006, d.m.th. gati një vit e gjysmë para shpalljes së pavarësisë dhe dy vjet para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

Një ndër qëllimet e Projektligjit që do të diskutohet sot, është përditësimi i kornizës ligjore për lirinë fetare, për të rritur përputhshmërinë e saj me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën tonë. Përkatësisht, neni 38 i Kushtetutës përcakton se “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar”. Dhe, “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për te pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar”.

Po ashtu, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është drejtpërdrejt e zbatueshme në Republikën e Kosovës, përcakton se, “Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve”.

Ia vlen të theksohet se, edhe para se të miratohet projektligji në fjalë, Republika e Kosovës edhe tashmë qëndron mjaft mirë për sa i përket respektimit të lirisë fetare. Siç është bërë e ditur para dy muajsh, Kosova renditet e para në rajon për sundimin e ligjit dhe e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit në vitin 2022, sipas “World Justice Project”. Dhe, një ndër kategoritë në të cilat Kosova ka shënuar performancën më të mirë në vitin 2022, është kategoria e “garantimit efektiv të lirisë së mendimit dhe të fesë”. 

Mirëpo, si në të gjitha fushat, edhe në këtë fushë Qeveria jonë synon të arrijë një standard sa më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Liria fetare zë një vend të veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Republika e Kosovës. Kjo për dy arsye. Së pari, në një shoqëri të tillë, secili individ  arrin të gëzojë lirinë e fjalës dhe të tubimit, si dhe të drejtën për të shprehur dhe për të shkëmbyer mendime të ndryshme. Dhe së dyti, një shoqëri e hapur siç është Kosova, mirëpret brenda kufijve të saj qytetarë nga çdo kënd i botës, edhe si vizitorë afatshkurtër, edhe si banorë afatgjatë.

Kjo do të thotë se mendime dhe besime të ndryshme vazhdimisht po hyjnë dhe qarkullojnë lirshëm midis qytetarëve tanë tërë kohën. Në një vend të tillë të hapur e të lirë, me qarkullim të vazhdueshëm të mendimeve nga brenda dhe nga jashtë, është e pamundur që të gjithë individët të ndajnë të njëjtat bindje fetare. Përkundrazi, diversiteti i bindjeve fetare mes popullatës është i pashmangshëm. Pluralizmi i besimit, siç e kanë vërejtur shumë filozofë politikë, është një fakt i përhershëm dhe i pandryshueshëm i një shoqërie demokratike.

Një ndër qëllimet më të rëndësishme të Projektligjit, që do të diskutohet sot, është pikërisht qëllimi për të ruajtur dhe për të promovuar këtë pluralizëm fetar. Projektligji në fjalë do t’iu ofrojë sa më shumë bashkësive të ndryshme fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht. Në këtë mënyrë, edhe ato bashkësi që janë relativisht të vogla e të reja në Kosovë, do të përfitojnë të drejta të plota dhe të barabarta me ato që janë më të mëdha dhe që kanë një histori më të gjatë mes popullatës sonë. Ndryshimet e propozuara me këtë projektligj, pra, dëshmojnë se Qeveria jonë e merr seriozisht detyrimin jo vetëm për të garantuar respektimin e plotë të lirisë fetare, por edhe për të siguruar, që kjo liri të garantohet në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Mirë se erdhët edhe një herë dhe ju uroj një diskutim sa më të frytshëm të këtij projektligji kaq të rëndësishëm.

Lexo më shumë:

Të ngjashme