Kurti kritikon Qeverinë për shpenzime marramendëse, e quan krim-qeverisje

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 16:38 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës po shpenzon më shumë se sa që mbledh të hyra.

Ai me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Qeveria po shpenzon për asfalt 20 herë më shumë sesa që shpenzon për ujësjellës dhe kanalizim.

“Nga Raporti i Buxhetit të vitit 2017 edhe njëherë na dokumentohet pse kemi këtë nivel të ultë të mirëqenies. Shifrat e bëra publike nga ky raport nuk flasin, ato bërtasin. Qeveria jonë shpenzon për asfalt mbi 300 milionë euro, apo 20 herë më shumë sesa që shpenzon për ujësjellës dhe kanalizim, apo 10 herë më shumë se sa që ndanë për Universitetin e Prishtinës”, ka shkruar ai.

Kurti thotë se një buxhetim i tillë është keqqeverisje.

“Huamarrja e përgjithshme është rritur për 37.3 për qind nga 154.4 milionë euro në 212 milionë euro. Huamarrja e jashtme dhe pranimet nga nënhuazimet janë rritur për gati 120 për qind nga 53.2 milionë euro në 116.6 milionë euro”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Keqqeverisja si shpenzim

Nga Raporti i Buxhetit të vitit 2017 edhe njëherë na dokumentohet pse kemi këtë nivel të ultë të mirëqenies. Shifrat e bëra publike nga ky raport nuk flasin, ato bërtasin.

Qeveria jonë shpenzon për asfalt mbi 300 milionë euro, apo 20 herë më shumë sesa që shpenzon për ujësjellës dhe kanalizim, apo 10 herë më shumë se sa që ndanë për Universitetin e Prishtinës.

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës, së bashku, nuk i kanë as 10% të parave të bëra asfalt. Për të qenë edhe më keq se kaq, shpenzimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, institucion ky thelbësor për luftimin e krimit dhe korrupsionit, tejkalohen për gati 70% nga shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit. Ne i japim 25% më shumë para RTK-së se sa Këshillit Prokurial të Kosovës.

Te shpenzimet kapitale, ato për asfalt rrugësh janë 100 herë më shumë se sa për trotuare për këmbësorë. Dhe, shpenzimet vetëm për një autostradë janë mbi trefishin e atyre për rrugë lokale dhe gati shtatëfish sa ato për rrugët regjionale.

Shpenzimet kapitale për trotuare tejkalohen për 50% nga ato për vetura zyrtare dhe për mobile.

Te shpenzimet për mallra dhe shërbime, për shpenzimet, mëditjet dhe akomodimin e udhëtimit zyrtar jashtë vendit, janë shpenzuar 9.4 milionë euro, e që është më shumë sesa shpenzimet kapitale për kanalizim. Kurse furnizimet për zyra (mbi 8.5 milionë euro) janë përafërsisht aq sa shpenzimet kapitale për kanalizim.

E, për shpenzimet kapitale për kanalizim janë harxhuar aq sa për qiratë e ndërtesave (diç mbi 8 milionë euro), ndërkaq për trotuare për këmbësorë aq sa për drekat zyrtare (rreth 3 milionë euro).

Shpenzimet e telefonisë mobile bëjnë sa ato për mirëmbajtjen e shkollave dhe të objekteve shëndetësore marrë së bashku (2.5 milionë euro).

‘Shpenzimet kontraktuese tjera’ të paspecifikuara janë plot 38 milionë euro.

Ne paguajmë për vendimet e gjykatave (mbi 5.3 milionë euro) gati sa edhe shpenzime kapitale për ujësjellësin.

Te shpenzimet kapitale, për deponi të mbeturinave janë shpenzuar vetëm 97 mijë euro, kurse për blerje të librave vetëm 33 mijë euro.

Më shumë sesa për ujësjellës, kanalizim e trotuare, qeveria ka qenë më kursimtare veçse për blerjen e librave dhe veprave artistike për të cilat janë harxhuar vetëm 36 mijë euro.

Huamarrja e përgjithshme është rritur për 37.3% nga 154.4 milionë euro në 212 milionë euro. Huamarrja e jashtme dhe pranimet nga nënhuazimet janë rritur për gati 120% nga 53.2 milionë euro në 116.6 milionë euro.

Te huadhëniet për ndërmarrjet publike, borxhi i KEK-ut është mbi 182 milionë euro.

Pagat e rrogat dhe mallrat e shërbimet në vitin 2017 janë rritur për 27 milionë euro gjithsej krahasuar me vitin 2016. Ato përbëjnë 40% të pagesave të gjithmbarshme.

Tatimi në pronë në të gjitha komunat e Kosovës bashkarisht është vetëm 22 milionë euro.

Përfitimet buxhetore nga licencat janë më pak se modeste. Psh. nga licenca për importim të duhanit dhe shitje me shumicë gjithsej 85 mijë euro. Nga licenca për shitje me pakicë të naftës dhe derivateve 200 mijë euro, me shumicë 49 mijë euro, ndërkaq për importin e naftës dhe derivateve 140 mijë euro.

Buxhetimi i këtillë është keqqeverisje, shpenzimi i këtillë është krim-qeverisje, është krimb-qeverisje.

Ky është raporti për 2017, përfytyroni se si do të duken shpenzimet e 2018 pas rritjes 100% të pagave për Qeverinë, 53 milionëshit për Bechtel-Enkan dhe borxhit që po i paguan Telekomi Z-mobile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme