Kurti lavdërohet për punën në dy vjet e gjysmë qeverisje: U arrestuan mbi 3800 persona, u konfiskuan 2.2 ton substanca narkotike

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është treguar për punën e bërë në dy vjet e gjysmë qeverisje, duke thënë se në këtë periudhë ka sunduar ligji.

Ai ka bërë të ditur se janë kryer mbi 1 mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë.

“Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka thënë se falë punës së institucioneve të sigurisë, janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit.

“Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike. Mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave. Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro”.

Kryeministri ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufijve përkatës që Kosova ndan me këto dy shtete.

Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës ka thënë se deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar.

“Janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro. Ligjshmëri. Shërbim. Siguri”, ka përfunduar Kurti.

Të ngjashme