Kurti: Me Thaçin takohem vetëm nëse më referohet si kryeministër

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 14:49 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me  Shoqatën e të Burgosurve Politik është deklaruar për medie, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka treguar se do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, vetëm nëse presidenti i referohet si kryeministër.

“Unë kam kërkuar që para se të shkojë në konferencë në Munih të takohemi dhe të bisedojmë sa i përket politikës së jashtme”.

“Ai është përgjigjur shumë më vonë kësaj ftese në kuadër të takimeve me liderët politik në mënyrë që mospajtimet t’i mbajmë të brendshme dhe mos t’i shprehim publikisht jashtë vendit dhe ne duhet të takohemi si krerë institucionesh”.

Ai më tej ka sqaruar se të mërkurën e ka pasur të pamundur që të takohet me presidentin, prandaj edhe i ka kërkuar kreut të shtetit takim për të premten.

“Sot isha shumë i zënë me takime të ndryshme dhe me një agjendë të pa përgatitur dhe isha në Llap mbrëmë. Më njoftuan mbrëmë që sot paskan kërkuar takim dhe e kisha të pamundur dhe ju kam thënë që të premten mund të takohemi”.

Kur foli për heqjen e taksës ai tha se plani i tij për zëvendësimin gradual të tarifës 100% me reciprocitet është i duhuri.

“Kam dhënë një qëndrim të qartë 7 pikësh dhe besoj që zgjidhjet që kam ofruar unë janë më të mirat dhe më të mençura dhe zëvendësim gradual i tarifës 100% me reciprocitet. Unë jam i interesuar që ta kemi një qëndrim të unifikuar në qeveri dhe të bëhej unanim. Nuk e kam hedhur në votim sepse nuk dua të kem një shumicë të thjeshtë, por ta kemi një minimale”.

Kreu i Qeverisë ka shtuar se preokupimi i tij është programi qeverisës, duke shtuar se nuk mund të zgjohet dhe të bije në gjumë duke menduar për taksën.

“Preokupimi im kryesor si kryeministër është programi qeverisës dhe tash e kemi projektligjin për buxhetin 2020 dhe këto ditë do të përfundojmë me planin e punës. Unë nuk mund të zgjohem në mëngjes dhe të bie më gjumë me çështjen e tarifës sepse kam aq shumë punë si kryeministër”.

Kurti tha se do të bashkëpunojë me ShBA-në, duke shtuar se janë aleat i pazëvendësueshëm, raporton EO. Ai ka insistuar se heqja e tarifës pa e vendosur reciprocitetin është gabim ekstrem.

“Unë kam takime të rregullta me ambasadorin Kosnet, ai është një ndër ambasadorët që është deklaruar më së shumti kundër krimit dhe korrupsionit dhe unë dua të bashkëpunojë me ShBA-në dhe mendoj që janë një aleat i pazëvendësueshëm dhe besoj qe nuk mund të ketë NATO pa ShBA-në dhe pa NATO nuk mund të këtë  siguri”, tha Kurti.

“Në takimin qe kishim dje kemi diskutuar për reformat qe po i ndërmarrim dhe për ndërprerjen e kësaj gjakderdhje financiare që e kemi gjetur aty. Heqja e tarifës pa e vendosur reciprocitetin është gabim ekstrem”.

Të ngjashme