Kurti: Në këto rrugë që parakalojnë ushtarët, dikur parakalonin protestuesit

Prishtinë | 17 Shk 2023 | 13:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në parakalimin e Trupave të Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se elementet që e karakterizojnë shtetin e Kosovës janë barazia dhe drejtësia.

Kurti ka thënë se në sheshet e Prishtinës ku parakalojnë ushtarët e FSK-së, në të kaluarën kanë parakaluar protestuesit. Sipas Kurtit, sot Kosova qëndron më mirë dhe se për këtë është dashur shumë punë, raporton Ekonomia Online.

“Në këtë 15 vjetor ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza që do parakalojnë janë bijtë e bijat e këtij vendi të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre sovranitetin, rendin dhe ligjin e Kosovës. Bekimi i ushtarakëve tanë, policëve i manifestuar me gatishmëri dhe i përkthyer në funksion u dëshmua disa herë me sfidat e sigurisë që vendi ynë u përball muajve të fundit. Policët e Kosovës treguan profesionalizëm të lartë dhe nivelin e aftësive të shtetit për t’iu përgjigjur sfidave”.

“Sa herë festojmë ditëlindjen e vendit tonë gjithmonë nisemi nga kujtimet e përbashkëta për dëshmorët dhe martirët, paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe secilën jetë njerëzore që ka derdhur gjak, që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e këtij vendi”.

“Këto rrugë që do të parakalojnë forcat tona, janë rrugë që dikur parakalonin protestuesit. Është dashur shumë mund dhe shumë punë që të vije kjo ditë. Në këtë ditë të shenjtë kujtojmë  Demaçin, Rugovën dhe Jasharajt. Vendi ynë ka kaluar shume sfida muajt e fundit, por policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë.  Teksa në sfond ndryshon gjendja globale e sigurisë, FSK punon çdo ditë që ta ndjek këtë ritëm”, tha Kurti, teksa përmendi edhe shtimin e buxhetit për FSK dhe të ushtarëve në këtë Forcë.

“Sivjet kemi edhe 612 ushtarë të rinj. Buxheti për mbrojtje është rritur vitin e kaluar për 52 për qind e sivjet e kemi rritur edhe 20 për qind. Ashtu si ditën kur u shpall pavarësia, edhe sot, edhe nesër, Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve, pa dallime etniteti e religjioni”, tha Kurti.

Të ngjashme