Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për më shumë punë me qëllim të luftimit, parandalimit e në veçanti mbrojtjes së viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, raporton Ekonomia Online.
Këtë e bëri të ditur në shënimin e Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, ku theksoi se vetëm këtë vit në Kosovë janë shënuar 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, ku 11 janë të mitura.
Sipas tij, 11 nga viktimat janë shfrytëzuar për prostitucion të detyruar, tre për punë të detyruar e një për kërkim-lëmosh.
“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm. Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendase e të huaja, ku siç tha, trafikohen me premtime për martesë e punësim si valltare e këngëtare dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, klube nate e sallone masazhi.
“Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, siç janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit e vetëdijes. Për këtë, si qeveri kemi plane konkrete për investime në ekonomi e në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë e në veçanti për grupet më të cenueshme”, është shprehur Kurti.
Kurti tha se që nga viti 2021 në lidhje me këto veprimtari të kundërligjshme janë arrestuar 353 persona.
“Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse, për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë”, është shprehur Kurti.
Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, njëherit zëvendësministër i MPB-së, Blerim Gashani, tha se kjo dukuri në Kosovë është e pranishme, por që po bëjnë përpjekje maksimale që të merren masa.
“Sot bashkë me ju po e hapim fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim, e cila fillon më 18 tetor që është Dita Bashkimit Evropian për Antitrafikim. Vlerësohet se rreth 25 milionë njerëz janë viktimë e trafikimit me njerëz”.
“Globalisht kryesit e këtyre gjëra kanë përfitime miliarda euro, të cilët përfitojnë duke shitur njerëz. Në Kosovë gjithashtu kjo dukuri është e pranishme. Andaj veprimet tona duhet dhe do të vazhdojnë edhe më tepër në luftim të këtyre veprave”, tha Gashani.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, u shpreh se luftimi i trafikimit me qenie njerëzore vazhdon ta kenë si prioritet.
Kelmendi tha se gjatë vitit 2021, kanë trajtuar 47 raste të natyrës së njëjtë.
“Trafikimi me qenie njerëzore jo rastësisht konsiderohet si skllavëri moderne. Dua të shpreh gatishmërinë tonë në misionin për një shtet ligjor, dhe së bashku do ta luftojmë këtë dukuri”.
“Zyra për mbrojtjen e viktimave të dhunës, gjatë vitit 2021 ka trajtuar mbi 47 raste të identifikuara si raste të trafikimit. Kjo zyrë ka trajtuar gjithashtu mbi 3 mijë raste të dhunës në familje”, tha ai.