Kurti: Nuk e kam lexuar letrën e Blinkenit, SHBA-ja vazhdon të jetë aleati kryesor në shtetndërtim dhe në dialog

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 14:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partner në shtetndërtimin demokratik dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Kurti (nuk) foli për deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili tha të mërkurën se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira” për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë, prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke por ajo është në qendër”, tha Kurti.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira” për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së po u bëjnë presion vendeve që të miratojnë një plan paqeje të paraqitur në mesin e vitit 2022, sipas të cilit Beogradi do të ndalonte lobimin kundër Kosovës që të ketë një vend në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Kosova do të angazhohet për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe sipas propozimeve.

“Kam besim se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, tha Blinken në një deklaratë në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Kryeministri Kurti, po ashtu, për serbët lokalë tha se kanë takime të vazhdueshme me ta, për t’i dëgjuar hallet e tyre.

“Dialogu me serbët lokalë është i përditshëm, përgjithësisht jo publik edhe vizitat në terren, edhe pritjet e tyre në minsitri dhe kryeministri tona janë të rregullta, ne takohemi me ta për hallet e tyre që janë të aspektit social e ekonomik, por edhe të drejtësisë dhe të qasjes sa më të kollajshme në institucionet  e vendit tonë”, tha Kurti para gazetarëve.

Kurti thotë se nuk është në dijeni për vërejtjet e BE-së që i përmendi Bislimi

Kurti deklaroi të mërkurën se nuk është në dijeni që Bashkimi Evropian ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e vendosura nga ai për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë të tillë e ka deklaruar ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kurti tha se do të takohet me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, për të kuptuar se çfarë komunikimi ka pasur ai me vendet e BE-së.

“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj e të shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ai tutje ritheksoi se gjashtë kushtet e vendosura mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zëvendësi i Kurtit, i cili është përgjegjës për Dialogun, Besnik Bislimi, gjatë një konference për medie javën e kaluar deklaroir se BE-ja ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin, por nuk ka treguar se cilat janë ato.

Të ngjashme