Kurti për mundësinë e moskandidimit për deputet: Rrethanat kanë ndryshuar, Grenelli e Thaçi kanë darkuar vitin e kaluar

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 09:25 | Nga Fitore Berisha

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka komentuar përgjigjen që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka përcjell Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), se ai është i dënuar me vendim të formës së prerë në tri vjetët e fundit, dhe se mund të mos i lejohen pjesëmarrja në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.

I pyetur për mundësinë e moscertifikimit të tij nga KQZ-ja për zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti tha se partia e tij ka dorëzuar listën dhe ajo është lista e VV-së.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë”.

Sipas tij, rrethanat në vend kanë ndryshuar, duke përmendur edhe një dark që vitin e kaluar kishte në Kosovë përfaqësuesi special për dialogun me Serbinë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Richar Grenell me ish-presidentin Hashim Thaci.

“Para një viti ka qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell, për një darkë me ish-presidentin, por ai është viti i kaluar, mendoj se institucionet e shtetit duhet të adaptohen, në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve”.

Ai tha se është bartës i listës që i respekton në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Jam bartës liste i cili i respekton me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, ka deklaruar Kurti.

Këto komente ai i bëri kur bashkë me u.d e presidentes Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme