Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me studentë të cilët janë përfitues të bursës për vitin 2023-2024 për studime jashtë Kosovës përmes skemave: Chevening (Mbretëria e Bashkuar), Young Cells (Bashkimi Evropian), DAAD (Gjermani) dhe Turkiye Burslari (Turqi).
Kurti theksoi rëndësinë që këto kuadro do ta kenë, pas kryerjes së studimeve dhe punësimit në Kosovë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
“Nuk mund ta dalloj asnjërin sektor, që të dy janë të rëndësishëm. Por më e rëndësishmja është që të jeni aktivë dhe të punoni ndershëm”, tha ai.
Tutje, Kurti në këtë bashkëbisedim me studentët foli edhe për tema të tjera, si ikjen e të rinjve nga vendi.
Ky fenomen, sipas Kurtit, është tanimë global e krahasuar me vendet e rajonit, të rinjtë e Kosovës janë më pak të interesuar për ta lënë vendin.
Sipas tij, pothuajse askund në botë, një i ri (sidomos i shkolluar) nuk rri vetëm në një shtet. “Por edhe nëse largohet, duhet të kontribuojë për vendin e tij”.
Duke folur për sektorin publik dhe atë privat, kryeministri përmendi masat dhe programet e qeverisë të cilat targetojnë punësimin te të rinjtë siç është rasti me programin “Praktikë në Qeveri” përmes së cilit janë angazhuar në institucioneve publike rreth 250 të rinj si praktikantë me pagesë për një periudhe gjashtë mujore, apo platforma SuperPuna, falë së cilës punësim kanë gjetur mbi 5000 të rinj të moshës 18-25 vjeçar të cilëve u subvencionohet nga qeveria 264 euro paga e tyre mujore.
Ai gjithashtu nënvizoi edhe faktin që aktualisht është duke u hartuar Plani i Veprimit të Garancisë Rinore, që garanton se çdo i ri do të jetë i angazhuar në arsim, trajnim apo punë.
Në këtë bashkëbisedim me studentët, kryeministri foli edhe për reformat e përgjithshme të bëra në qeverisjen e tij, ku veçoi ndërlidhjen e sistemit arsimor me ekonominë e vendit. Si rezultat i prioritizimit të arsimit dual dhe aftësimit profesional nga ky vit i ri shkollor do të arsimi dual do të zgjerohet shumëfish nga viti i kaluar duke gjete zbatim në 21 shkolla të 13 komunave në 12 profile të ndryshme: kuzhinier, kamerier, floktar, murator, rrobaqepësi, automekanik, metal përpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë dhe estetist. Përpos kësaj, arsimi publik i lartë është bërë falas, ndërkaq vëmendje e veçantë i është dhënë edhe mbështetjes financiare për studentë të dalluar dhe në fusha deficitare, kur deri më tani rreth 4 mijë studentë përfituan bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, përfshirë: 1,365 bursa për gra dhe vajza studente në fushat STEM, 500 bursa për komunitetet joshumicë.
Pas kryerjes së studimeve master, përfituesit e bursës nga Young Cell Scheme, bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës, do të punësohen për së paku tri vjet në administratën publike të Kosovës.
Një nga përfitueset e kësaj burse, Enea Osmani, tha se studimin jashtë vendit e sheh si mundësi të mirë për të kontribuar në ekonominë dhe energjinë e Kosovës.
“Unë kam zgjedhur të vazhdoj studimet në fushën ‘Tregtia me BE-në dhe diplomacia klimatike’, ku mendoj se Kosova si një vend i ri, dhe që synon integrimin në familjen evropiane, do të ketë shumë punë në vitet në vazhdim”, tha ajo, për EO.
“Jam mirënjohëse për mundësinë që më është dhënë. Po shpresoj që pas studimeve, do të kem mundësi për të dhënë kontributin tim, për të bërë ndryshime pozitive sidomos në ekonomi dhe në energji”.