Kurti: Presidentit do t’i përgjigjem, pro jo menjëherë – pas pandemisë të shkojmë në zgjedhje

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 18:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me Coronavirus.

Sipas tij, sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkoj drejt zgjedhjeve parlamentare.

“Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mire”, tha ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Por, çfarë qeverie do të ishte ajo e pas pandemisë, nëse VV do të fitonte sërish.

Kurti flet për një VV më të fortë, dhe ndoshta dëshiron të nënkuptojë se synon të qeverisë vetë.
“Kurrë nuk ka qenë mbështetja më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje sesa sot. Ne kemi shumë më tepër mbështetje si qeveri në detyrë, sesa kur ishim qeveri e posa formuar në muajt shkurt dhe mars. Që nga 6 tetori kur i fituam zgjedhjet e deri tash në fillim të muajit prill, praktikisht është dyfishuar mbështetja për neve. Ne do të hyjmë në garën politike elektorale jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës. Mirëpo, nuk mund të flitet tash për koalicionet e ardhshme, kur nuk i kemi ende zgjedhjet e shpallura dhe pas asaj se çfarë na ndodhi me braktisjen e orientimit tonë qeveritar të përbashkët nga partneri ynë i koalicionit”, ka thënë ai

Duke folur për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se “aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga qeveritë e Republikës së Kosovës as nga kryeministrat e presidentët”.

Të ngjashme