Kurti pyet Prokurorinë pse nuk po gjykohen “masakruesit e popullit tonë”

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i cili pritet që së shpejti të marrë postin e kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se Prokuroria Speciale po hesht kundrejt ndjekjes dhe gjykimit të kriminelëve të luftës.

Duke kujtuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që ndodhi me 30 maj të këtij viti, Kurti thotë se me këtë ndryshim iu mundësua sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë.

“U gëzuam kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tutje ka pyetur Prokurorinë Speciale pse ende nuk ka çuar para trupit gjykues masakruesit e luftës së fundit në Kosovë.

“Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj?”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, jo vetëm përballë kombit tonë, por përballë gjithë njerëzimit.

“Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë”, ka shkruar ai.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme