Kurti: Shkaku i Coronavirusit, nga ky moment s’ia jap dorën asnjë ministri

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 20:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrat e Shëndetësisë dhe Arsimit, ka mbajtur një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë ku u vendosë për masat parandaluese që do të merren kundër Coronavirusit

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga ky moment ai vetë nuk do t’ua japë dorën asnjërit prej ministrave të tij.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu bëri apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm, duke mbajtur higjienën personale. “Është mirë që askujt të mos ia japim dorën në këto raste. Apeloj te qytetarët që bashkë me ne të na ndihmojnë të kalojmë këtë situatë”.

Ndërsa kryeministri Kurti tregoi se tashmë është anuluar një konferencë në Vjenë ku ka qenë i ftuar, e planifikuar për 17 mars. “Do të bëhet video-konferencë”.

Ai tha se ka aranzhuar dhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe shfaqi besimin se gjithçka do të shkojë mirë.

“Këto konferenca janë me më pak njerëz tashmë ka shumë konferenca ku kanë qenë të ftuar ministrat tanë që tashmë janë anuluar”, tha ai.

Këto janë masat e marra në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë:

MASAT E REJA TË QEVERISË SË KOSOVËS LIDHUR ME COVID-19

1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një një vendim tjetër);

3. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;

4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;

5. Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;

6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;

7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;

8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11. Personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Varësisht nga zhvillimet e situatës Vendimet mund të plotësohen dhe ndryshohen në kohë reale dhe do të njoftohen qytetarët e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme