Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se ekzekutivi do të vazhdojë të mbështesë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e Apelit ndaj aktgjykimit të Gjykatës në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Kurti, duke iu referuar aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, tha se vendimi, sipas tij, mbështetet në baza të pasakta historike dhe faktike.
“Të dashur qytetarë, pasnesër bëhen një muaj prej aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, e që mbështetej mbi themele të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo faktike”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë të përdorë mjetet që i ka në dispozicion për t’i mbështetur të akuzuarit gjatë procedurave të apelit, ku pret që, siç u shpreh, të korrigjohet padrejtësia.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, qeveria do të vazhdojë me mjetet që i ka në dispozicion t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, tha kryeministri.
Kurti theksoi se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe interesat e vendit kërkojnë një strategji të menduar mirë, duke theksuar nevojën për analizë të plotë të aktgjykimit përpara ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.
“Për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe për vendin tonë, duhet një strategji e mirëmenduar. Fillimisht duhet një analizë e thellë pas aktgjykimit në formën e tij të plotë që të veprojmë përpara”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, suksesi në procesin e apelit kërkon organizim dhe një strategji në nivel shtetëror e kombëtar.
“Në Apel na duhet suksesi, e për këtë gjë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, tha Kurti.