Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishin të nevojshme dhe se rezultati i tyre e dëshmon këtë, duke theksuar se qytetarët kanë folur sërish qartë, raporton Ekonomia Online.
“Po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Më lejoni t’i uroj qytetarët për procesin e rregullt, të lirë dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin”, ka thënë Kurti në mbledhjen e parë fizike të Qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme.
Ai shtoi se pas certifikimit të rezultatit do të nisin punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja.
“Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale, demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore, nga hekurudhat, te digat e jo vetëm. Andaj, posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re, dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha ai.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti foli edhe për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, duke kritikuar mungesën e veprimeve për këtë rast për më shumë se dy dekada.
“Afër 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut, janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë. Ndërkohë që në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha, një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020, askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër, kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, tha ai.
Kurti e nisi mbledhjen duke shprehur ngushëllime për familjet e tre të rinjve që humbën jetën ditëve të fundit në dy raste të ndara.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga vdekja tragjike e tre të rinjve tanë në dy raste të ndryshme ditëve të fundit. Motrat Erza dhe Aulona Zubaku në një aksident rrugor në Gjermani dhe Valmir Morina në vendin e tij të punës në Prizren. Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet Zubaku nga komuna e Kamenicës dhe Morina nga komuna e Malishevës”, tha ai.
