Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente, raporton Ekonomia Online.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se pas shqyrtimit të lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve është konstatuar se ato nuk janë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Avokatinë.
“Nga shqyrtimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës është konstatuar që nuk përputhen me dispozitat e Ligjit të Avokatisë, sepse ligji parasheh shprehimisht që lartësia e shpenzimeve të regjistrimit në Odën e Avokatëve të jetë jo më shumë se tre paga minimale. Prandaj aktualisht lartësia e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve nuk duhet ta tejkalojë shumën prej 1,275 euro, ndërsa nga korriku 1,500 euro”, tha ajo.
Gërvalla theksoi se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtij akti është i domosdoshëm për garantimin e zbatimit të ligjit dhe funksionimin e pandërprerë të sistemit të drejtësisë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e garantimit të zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë të sistemit të caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare dhe bazuar në kompetencën e Qeverisë për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të drejtën për të ndaluar ekzekutimin e tyre deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente, vlerësojmë të domosdoshme që zbatimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim të pezullohet përkohësisht deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha ajo.
