Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
Kurti nga Suhareka ku ka vizituar fermerët e dëmtuar nga reshjet, kërkoi që dialogu të jetë i bazuar në parime dhe i organizuar mirë.
Ai më tej ka shtuar se është i gatshëm t’i mbrojë interesat e vendit, siç e parasheh Kushtetuta. Por Kurti potencoi se kalendari i takimeve varte nga agjenda e Brukselit, por thotë se në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Kushtetueses nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm Mirosllav Lajçak, natyrisht që ai është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur i organizuar mirë”.
“…jemi gati kemi përvojë do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës”.
“Pra varte prej Brukselit kalendari i dialogut të ardhshme dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Kushtetueses nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”.
Lajçak ka deklaruar se të gjitha palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut dhe se vetëm po pritet që gjendja epidemiologjike ta mundësojë takimin fizik dhe vazhdimin e bisedimeve.
Ai ka paralajmëruar se qysh prej javës së ardhshme do të zhvendoset nga Bratisllava, ku ka qenë deri më tani shkaku i kufizimit të lëvizjeve, në Bruksel, duke qenë edhe fizikisht i pranishëm në zyrën e tij të përfaqësuesit special për dialogun.