Kurti thotë se kontributi i grave në shkencë kurrë s’është çmuar, premton mbështetje financiare

Prishtinë | 24 Pri 2023 | 11:05 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po jetësohet premtimi i tij elektoral, pasi të hënën është mbajtur konferenca STEMinists, raporton Ekonomia Online.

Në hapje të konferencës, e cila iu kushtua rëndësisë së pjesëmarrjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, pra fushës STEM, kryeministri Kurti tha se përkundër barrierave, e shpesh edhe kundër gjasave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në këto fusha, që historikisht as nuk janë mirëpritur e as nuk janë vlerësuar.

“Disa zbulime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyret. Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, ato janë ende të nënpërfaqësueara, të papërfaqësuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë. Sigurisht që në secilin rast, padrejtësisht”, tha ai, duke shtuar se jo vetëm si feministë, por tash edhe si STEMinistë, është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka mundësi të ndjekë ëndrrat.

“Karriera në fushat STEM ofron mundësi të jashtëzakonshme. Me më shumë vajza në këto fusha, ne mund të ndihmojmë në mbylljen e hendekut gjinor të pagave dhe t’iu ofrojmë atyre mjetet për të arritur pavarësinë ekonomike. Por, përtej përfitimit personal, siç tha kryeministri, ndikon në përmirësimin e shoqërisë në mënyra të panumërta, në zgjidhjen e problemeve komplekse, zhvillimin e teknologjive, trajtimeve të reja mjekësore, zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Po ashtu, ai potencoi se duke fuqizuar vajzat për pjesëmarrje në këto fusha, ne sigurojmë që ato të jenë pjesëmarrëse në formësimin e së ardhmes, e cila nuk njeh gjini”.

Duke qenë se vajzat dhe gratë kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore, kryeministri Kurti theksoi se ky përjashtim ka pasur ndikime negative në përparimin e shoqërisë njerëzore.

“Tani jemi në kohën kur konsiderohet, që është ajo e revolucionit të katërt industrial, e çdo ditë po shohim zhvillime të reja teknologjike, që i shërbejnë përfaqësimit të barabartë gjinor. Gratë dhe vajzat duhet t’i inkurajojmë që të ndjekin karrierë në këto fusha, duke e zvogëluar hendekun gjinor. Kjo nuk është veçse çështje barazie, por edhe ekonomike e sociale”, tha ai.

Kurti tha se kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional.

Ai shtoi se këta mekanizma i shtohen mbështetjes financiare për vajzat/gratë në STEM që tashmë po zbatohet si politikë e re e Qeverisë së Kosovës që dy vite, duke shtur se kontributi i ttyre në shkencë kurrë nuk është çmuar.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre Emilija Rexhepi,

E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci,

I nderuari Ministër për Komunitete dhe Kthim, z.Nenad Rashiq,

I nderuari Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z.Bardhyl Dobra,

E nderuara Zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Edona Maloku Bërdyna,

I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Qerim Qerimi,

E nderuara Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj.Arnhild Spence,

I nderuari Ambasador i Republikës së Italisë në Kosovë, Shkëlqesia Juaj, z.Antonello De Riu,

I nderuari staf akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike,

Të dashur studentë,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Të dashur steministë,

Mirë se keni ardhur në këtë hapësirë studimi, në hapje të kësaj konference, që i përkushtohet rëndësisë së pjesëmarrjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, pra fushës STEM.

Përkundër barrierave, e shpesh edhe kundër gjasave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në këto fusha, që historikisht as nuk janë mirëpritur e as nuk janë vlerësuar. Disa zbulime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyret. Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, ato janë ende të nënpërfaqësueara, të papërfaqësuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë. Sigurisht që në secilin rast, padrejtësisht.

Jo vetëm si feministë, por tash edhe si steministë, është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka mundësi të ndjekë ëndrrat.

Karriera në fushat STEM ofron mundësi të jashtëzakonshme.  Me më shumë vajza në këto fusha, ne mund të ndihmojmë në mbylljen e hendekut gjinor të pagave dhe t’iu ofrojmë atyre mjetet për të arritur pavarësinë ekonomike. Por, përtej përfitimit personal, ndikon në përmirësimin e shoqërisë në mënyra të panumërta, në zgjidhjen e problemeve komplekse, zhvillimin e teknologjive, trajtimeve të reja mjekësore, zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Duke fuqizuar vajzat për pjesëmarrje në këto fusha, ne sigurojmë që ato të jenë pjesëmarrëse në formësimin e së ardhmes, e cila nuk njeh gjini.

Vajzat dhe gratë kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore. Ky përjashtim ka pasur ndikime negative në përparimin e shoqërisë njerëzore. Tani jemi në kohën kur konsiderohet që është ajo e revolucionit të katërt industrial, e çdo ditë po shohim zhvillime të reja teknologjike, që i shërbejnë përfaqësimit të barabartë gjinor. Gratë dhe vajzat duhet t’i inkurajojmë që të ndjekin karrierë në këto fusha, duke e zvogëluar hendekun gjinor. Kjo nuk është veçse çështje barazie, por edhe ekonomike e sociale.

Përtej pabarazisë në numra e statistika, mungesa e përfaqësimit të grave dhe vajzave ka pasoja reale. Nga përjashtimi i gjysmës së popullsisë nga pjesëmarrja në këto fusha, humbasim perspektivat e vlefshme, kreativitetin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Për më tepër, kur vajzat dhe gratë përjashtohen nga fushat e STEM, përjetësohen stereotipe të dëmshme gjinore dhe përforcohet ideja e gabueshme se disa profesione janë “për burra” ndërsa ca të tjera “për gra”. Kjo ndikon në zgjedhjet që vajzat bëjnë për karrierën e tyre të ardhshme, si dhe në qëndrimet e shoqërisë ndaj roleve gjinore.

Pjesëmarrja aktive e vajzave dhe grave në fushat e STEM ka të bëjë me barazinë dhe drejtësinë. Çdo person, pavarësisht nga gjinia, meriton mundësi dhe trajtim të barabartë në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë arsimimin dhe zgjedhjen e karrierës. Kjo ka të bëjë edhe me inovacionin dhe përparimin. Këndvështrime dhe ide të ndryshme janë të domosdoshme nëse duam të zgjidhim problemet komplekse me të cilat përballet bota. Duke përfshirë vajzat dhe gratë, duke rritur diversitetin në STEM, ne sigurohemi se po shfrytëzojmë gamën e plotë të talentit dhe krijimtarisë njerëzore.

Zonja dhe zotërinj,

Politika për vajzat dhe gratë në STEM është futur si politikë e re dhe për herë të parë nga qeveria jonë. Në vitin e parë të qeverisjes kemi mbështetur mbi 1000 vajza dhe gra të cilat studiojnë në fushat STEM me mbi 1 milion euro, ndërsa në të dytin me dyfishim të mbështetjes financiare për këto fusha, pra në 2 milionë euro. Në total, gjatë këtyre dy viteve kemi përkrahur gjithsej 2,748 vajza që studiojnë në fushat STEM me nga 1.000 euro në vit.

Tani, në vitin e tretë të zgjerimit të kësaj politike, po shkojmë përtej mbështetjes financiare në arsim dhe po dalim me Programin STEM. Ky program synon rritjen e pjesëmarrjes së vajzave e grave në fushat STEM, duke shtuar përkrahjen dhe ofrimin e mundësive edhe për përvojë praktike. Por gjithashtu përvoja praktike duhet të vazhdojë me zhvillim profesional, me mentorim dhe me lidhje me industrinë. Sot po shënojmë ngjarjen e parë në këtë drejtim: Konferencën STEMinistët, që është vendosur qëllimshëm ndërmjet dy datave globale: Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Shkencë dhe në prag të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë e Informacion dhe Komunikimit.

Me këtë konferencë sot, ne po e vëmë në kalendarin vjetor të Qeverisë së Kosovës Konferencën e Parë për STEM në nivel shteti, që tani e tutje do  të mbahet për çdo vit në javën e fundit të muajit prill. 

Kjo konferencë synon që një herë në vit të mbledhë në një forum gjithëpërfshirës akterët kyç institucional në nivel qendror e lokal, përfaqësuesit nga fushat e shkencës, teknologjisë, ekonomisë dhe industrisë, me qëllim diskutimin kritik për sfidat dhe mundësitë. Dëshirojmë të dëshmojmë që shkenca dhe demokracianuk e përjashtojnë njëra tjetrën.

Emërtimi i kësaj nisme si ‘STEMinistët’ (pra si adaptim i ‘Feministët’) përcjellë mesazhin për angazhimin e Qeverisë për promovimin e barazisë gjinore edhe përmes STEM-it. Në një forum të tillë si ky sot, uroj që përmes diskutimit shumëpalësh, analizimit të përvojave dhe sfidave profesionale, sidomos të grave në STEM dhe nevojave të institucioneve e të industrisë, të dalim me rekomandime konkrete që do të ndihmojnë substancialisht zhvillimin e Programit STEM.


Andaj, u ftoj që më përvojën dhe idetë tuaja të kontribuoni aktivisht për një diskutim cilësor, shkëmbim përvojash e rrjetëzim, me qëllim që të gjithë bashkë të sigurojmë progres më të madh shoqëror dhe ekonomik për vendin tonë, Republikën e Kosovës.

Të gjithë ne besojmë se të gjithë duhet të gëzojmë të drejtat e barabarta, por ne si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kemi edhe mundësitë e barabarta. Për këtë kemi bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Kemi ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare. Kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve të cilët jetojnë në vendin tonë dhe 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Qeveria dhe partnerët tanë të zhvillimit janë aktualisht të angazhuar në trajnimin e më shumë se 3500 të rinjve në fusha të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. TIK-u në vendin tonë ka potencial të madh. Muajin e kaluar kemi arritur mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit brezgjërë.

Përparimi shkencor kërkon gjithashtu një ekosistem inovativ i cili do të sigurojë infrastrukturën dhe lidhjet e nevojshme ndërmjet arsimit, kërkimit dhe inovacionit. Qeveria jonë është angazhuar në disa nisma. Në bashkëpunim me qeverinë gjermane, ne po vazhdojmë të investojmë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, ndërsa së shpejti do ta bëjmë edhe inaugurimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, këtu në periferi të Prishtinës.


Në fund të vitit të kaluar kemi inauguruar Rrjetin Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN). Përmes implementimit të KREN-it, Kosova i është bashkuar edhe rrjetit më të madh akademik pan-evropian GÉANT.

Rreth një viti më parë, ne u bëmë anëtare e Horizon Europe. Së fundmi kemi përfunduar negociatat për t’iu bashkuar një programi tejet të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, Evropa Digjitale. Këto anëtarësime ofrojnë mundësi shtesë për të aplikuar për projekte kërkimore të financuara nga këto programe.

Aktualisht jemi duke pilotuar Sistemin Informativ Kërkimor të Kosovës (KRIS), që do të mbështesë kërkimin përmes një infrastrukture të ndërlidhur, financimit të shtuar dhe bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar në projekte shkencore.

Të dashura studente,

Përkushtimi i juaj i palëkundur ndaj ëndrrave dhe aspiratave tuaja, me dashuri për dijen dhe për njerëzimin, edhe përballë barrierave strukturore të ngritura ndër breza, shton vendosmërinë tonë për t’i rrezuar ato dhe për të ndërtuar bashkë një të ardhme edhe më të drejtë edhe më të barabartë.

Ju falemnderit!

Të ngjashme