Kurti vë gurthemelin e QKMF-së në Kastriot: Investim 2.7 milionë euro për shëndetësi më moderne

Prishtinë | 03 Kor 2026 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kastriot, projekt me vlerë 2.7 milionë euro.

Sipas Kurtit, ky investim vjen pas një pritjeje të gjatë prej gati tri dekadash dhe do të sjellë infrastrukturë moderne dhe pajisje të teknologjisë shëndetësore për qytetarët dhe stafin mjekësor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojnë investimet në shëndetësi dhe synimi ynë është një sistem shëndetësor më i fortë, më cilësor dhe më i qasshëm për çdo qytetar. Urime Kastriotit për këtë ditë të rëndësishme!”, tha Kurti.

Ai theksoi se projekti i ri do të ketë sipërfaqe prej 2250 metrash katrorë dhe punimet pritet të përfundojnë brenda dy viteve.

“Porsa pamë projektin, i cili na dëshmon se sa moderne do të jetë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare këtu në Kastriot. Mësuam edhe që sipërfaqja e gjithmbarshme do të jetë 2250 metra katrorë dhe se punimet nga dita e sotme kur po e vendosim gurthemelin do të përfundojnë më së largu brenda 2 viteve”, tha ai.

Kurti shtoi se kujdesi parësor është porta e parë e sistemit shëndetësor dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

“Kujdesi parësor qysh e dimë të gjithë është porta e parë e sistemit shëndetësor. Pikërisht këtu qytetarët e marrin ndihmën e parë, këshillën e parë dhe mbështetjen e parë”, u shpreh ai.

Ai sqaroi se faza e parë e projektit do të zgjasë rreth 90 ditë, me një vlerë prej rreth 370 mijë eurosh, ndërsa projekti i plotë kap vlerën prej 2.7 milionë euro.

“Po nis faza e parë. Kjo fazë do të jetë përafërsisht 90 ditë dhe vlera është rreth 370 mijë euro. Ndërkaq projekti në total do të kushtojë 2.7 milionë euro”, tha Kurti.

Kryeministri në fund ritheksoi përkushtimin e qeverisë për investime në shëndetësi dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Të ngjashme