Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës, ka thënë se “Kosova rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social, ekonomik e kulturor në njërën anë dhe një vendi të sigurte dhe euroatlantik në anën tjetër”, raporton Ekonomia Online.
Nga 445 policë që diplomuan sot, 345 janë djem dhe 100 vajza. 357 janë shqiptarë, ndërsa 88 prej tyre janë nga komunitetet jo shumicë.
“Vendit tone do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj të cilët do të shërbejnë gjithandej nëpër Kosovë, duke i dhënë një bazë përforcuese kolegeve tjerë policë. Nga 445 policët që diplomojnë sot, 345 janë djem, 100 vajza. 357 shqiptar dhe 88 nga komunitetet jo shumicë. Kosova rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social, ekonomik e kulturor në njërën anë dhe një vendi të sigurte dhe euro atlantike në anën tjetër. Respektoni dhe nderoni uniformen dhe punën tuaj”, ka thënë ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është gjithmonë një ndjenjë e veçantë me shumë entuziazëm dhe me pritje të mëdha, sa herë që iu bashkohem në ceremonitë e diplomimit të policëve të rinj të Kosovës, sikur edhe ushtarëve të rinj të Kosovës. Sepse këto dy grupe profesionistësh trupash të armatosura, u takojnë institucioneve që ditë e natë kujdesen për rendin dhe ligjin, për sigurinë e mbrojtjen e qytetarëve dhe të shtetit tonë, Republikës së Kosovës!
Sivjet Policia e Kosovës i mbushë një çerekshekulli ekzistencë dhe veprimtari. Që nga themelimi i saj në shtator të vitit 1999 dhe teksa po bëhen 25 vite histori e policisë në Kosovën e çliruar dhe të lirë, sot policisë sonë po i bashkohet gjenerata e 59-të e policëve. Vendit tonë do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj, të cilët do të shërbejnë gjithandej nëpër Kosovë, në stacione dhe në njësite e detyra të ndryshme, duke i dhënë një masë përforcuese dhe përtëritëse kolegëve tjerë policë.
Te figura e policit janë të përbashkuara personifikimi i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të rendit publik si dhe vetë imazhi dhe autoriteti i shtetit dhe i shoqërisë përkatëse. Andaj në strukturën e policisë së një shteti, mund të lexohet edhe vetë struktura e shoqërisë dhe natyra e atij shteti. Me këtë rast, kam kënaqësinë ta evidentoj këtë gjë edhe në vet strukturën e gjeneratës së 59-të të policëve që po diplomon sot.
Nga 445 policët që do të betohen sot, 345 janë djem dhe 100 vajza, kurse 357 policë janë shqiptarë dhe 88 nga komunitetet joshumicë. E shtjelluar më tutje, kjo do të thotë që raporti gjinor i kësaj gjenerate është 1 me 4, apo çdo i pesti pjesëtar është police, kurse raporti etnik është 80% policë shqiptarë dhe 20% policë nga komunitetet joshumicë. Prej tyre, nga 88 policët prej pakicave etnike, 37 policë janë serbë, 27 boshnjakë, 7 turq, 7 egjiptianë, 6 ashkali dhe 4 policë janë romë. Si një shtet që respekton të drejtat e njeriut, normat e barazisë gjinore dhe të drejtat e mundësitë e barabarta për komunitetet pakicë, Republika e Kosovës i ka reflektuar politikat e saj të mirëfillta demokratike edhe në strukturën e policisë së shtetit. Dhe meqë Kosova është një shtet i ndërtuar nga një shoqëri që beson në një sistem vlerash demokratike dhe në progresin e gjithmbarshëm shoqëror, që nuk e lë askënd prapa, edhe zhvillimet në Policinë e Kosovës e përcjellin vizionin e shoqërisë dhe të shtetit tonë. Republika e Kosovës rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social dhe ekonomik dhe kulturor, në njërin krah dhe ato të një vendi të sigurtë e me perspektivë euroatlantike në krahun tjetër.
Të dashura kadete dhe kadetë, kur në mes të dimrit më 22 janar ju e nisët trajnimin tuaj në Akademi, ju shkuat aty me vullnetin dhe gatishmërinë tuaj për t’i shërbyer vendit dhe shtetit tuaj. Nga sot pasi të jeni betuar, ëndrra juaj e dikurshme do të kthehet në realitet të përditshëm. Andaj jetojeni këtë ëndërr të dikurshme si një profesion jetësor çdo ditë, me përkushtim dhe profesionalizëm, me ndershmëri dhe patriotizëm.
Të nderuara familje të kadeteve dhe të kadetëve policorë të gjeneratës së 59-të, nëna dhe baballarë, motra dhe vëllezër: ju faleminderit për mbështetjen e dhënë ndaj familjarëve tuaj gjatë kësaj periudhe tremujore të trajnimit të tyre në akademi. Ndjehuni krenarë për ta sot dhe qofshi krenarë për ta në çdo ditë të punës së tyre, anembanë Republikës sonë të dashur të Kosovës.
Të dashura kadete dhe kadetë policorë: po ju drejtohem për herë të fundit me fjalën “kadete” e “kadetë”, pak para betimit tuaj. Respektojeni dhe nderojeni uniformën policore, bashkë me ligjet dhe normat e tjera në punën tuaj duke shërbyer ashtu siç jeni trajnuar dhe siç pritet prej jush. Paçi një karrierë të mbarë policore dhe të dobishme për shtetin e shoqërinë dhe shërbefshi faqebardhë deri në pensionim!
Urime të përzemërta dhe ju faleminderit të gjithëve!