Kurti: Zgjidhja e problemeve të Luginës është kriter i integrimeve evropiane të Serbisë

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 13:05 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se zgjidhja e problemeve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, është kriter i integrimeve evropiane të Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për situatën aktuale të shqiptarëve tha se është reduktuar edhe numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 29 në 15.

“Pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve atje, nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në BE. Nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës, në emër të premtimit se ata do të na bashkëngjiten neve pa ndonjë sforcim shtesë, dhe gjithashtu ishte mbajtur referendumi i cili nuk është përfshirë në pozicionet zyrtare as të Kosovës e as të Shqipërisë”, ka thënë ai.

I pari i Vetëvendosjes ka thënë se papunësia në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është shumë e madhe gjë që shkakton emigrimin e shqiptarëve drejt Kosovës dhe shteteve perëndimore.

Në seancën e jashtëzakonshme për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Kurti ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë ndihmuar vetëm në lindjen e fëmijëve atje, por jo edhe rritjen e tyre – duke iu referuar kështu ndihmës financiare për hapjen e Maternitetit në Preshevë.

“…Kjo për shkak se ministria për administratë shtetërore e ka aplikuar kriterin sipas të cilit në Serbi jetojnë vetëm 5805 shqiptar. Ky është qëndrim cinik i shtetit serb. Kur është bojkotuar regjistrimi i popullsisë atje, ata pak që janë regjistruar konsiderohen të vetmit shqiptar atje. Andaj papunësia në krahinën shqiptare është shumë e madhe, gjë që shkakton migrim drejt Kosovës dhe shteteve perëndimore. Vetëm në periudhën mes viteve 2012 dhe 2016 numri i nxënësve ka rënë për 1300. Nga komuna e Medvegjës janë shpërngulur 5500 shqiptar. Në fshatrat e komunës së Bujanocit kanë ngelur vetëm 8 nxënës. Ata që janë zhvendosur në Kosovë nuk janë evidentuar as si refugjatë, dhe ende nuk kanë dokumentacion me qëllim të përkohshëm apo të përhershëm”, tha Kurti, raporton EO.

Ai ka treguar edhe për hapat që duhet ndërmarrë në mënyrë që të përmirësohet gjendja atje.

“Janë katër kryesore: Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet kërkojnë televizion publik në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit. Me këto kërkesa ata kudo që janë dalin në ofenzivë kundrejt shtetit të Serbisë, që nuk ka keqardhje për krimet në të kaluarën”, ka thënë ai.

Të ngjashme