Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila, i ka dhënë mbështetje protestës së thirrur nga shoqëria civile kundër ndërtimeve të larta rreth kullës së “Sulejman Vokshit” në Gjakovë.
Protesta pritet të zhvillohet me 4 mars para Kuvendit Komunal në Gjakovë duke filluar nga ora 09:30, transmeton Klan Kosova.
Me organizimin e shoqërisë civile dhe tre partive opozitare në Gjakovë, është mbajtur sot një diskutim i hapur me qytetarët e Gjakovës, në lidhje me kullën e lartpërmendur.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë ekspertja trashëgimisë kulturore Gjejlane Hoxha, profesori i letërsisë Arben Hoxha si dhe urbanisti Xhelal Hoxha.
Ata u kanë shpjeguar të pranishmëve anën profesionale dhe ligjore se pse propozim vendimi i qeverisjes lokale në Gjakovë, për shfuqizimin e interesit të veçantë për parcelat rreth Kullës së “Sulejman Vokshit” është i gabuar dhe nuk duhet lejuar.
Në debat ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, e cila në adresimin e saj ka thënë se tendenca e shfuqizimit të vendimit të interesit të veçantë për parcelat rreth Kullës është një krim që po i bëhet Komunës së Gjakovës nga ana e strukturës aktuale qeverisëse.
“Edhe pse ekziston plani i mirëfilltë për ndërtimin e Gjakovës së re në pjesën veriore të qytetit, nga kjo strukturë qeverisëse, po goditet zemra e Gjakovës, me ndërtimet e larta të cilat po bëhen me qëllime të caktuara”.
“Gjakova i meriton vlerat që ia lanë pas figurat kombëtare, por fatkeqësisht ndaj këtyre personaliteteve po bëhet atentat prej së dyti, duke shkatërruar monumentet dhe trashëgimin kulturore”.
“Alternativa në Gjakovë do të mbështesë protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe u bënë thirrje të gjithë anëtarëve, votuesve dhe përkrahësve në Gjakovë që ditën e Hënë, me datë 4 Mars, në ora 09:30, para Kuvendit Komunal në Gjakovë, të kundërshtojmë tendencën e tretë me radhë të kryetarit Ardian Gjini për shfuqizimin e interesit të veçantë dhe krijimit të hapësirës për ndërtime të larta rreth kullës së ‘Sulejman Vokshit’”.