Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar të dhënat për shuarjen dhe regjistrimin e bizneseve në Kosovë. Ajo ka thënë se statistikat duhet të analizohen në mënyrë më përmbajtësore, duke theksuar se një pjesë e bizneseve individuale që mbyllen regjistrohen më pas në një formë tjetër juridike, raporton Ekonomia Online.
Kusari-Lila tha se gjatë muajit gusht janë shuar 86 biznese, por në të njëjtën kohë janë regjistruar mbi një mijë biznese të reja.
“Por mendoj që kur i shohim statistikat duhet bërë një vlerësim përmbajtësor. E para është që në muajin gusht janë shuar 86 biznese, 62 prej tyre janë biznese individuale, që shpeshherë sipas praktikës biznese individuale shuhen për t’u regjistruar pastaj si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, për shkak se është model më i avancuar i administrimit të biznesit. Ndërsa janë hapur 1,010 biznese të reja në muajin gusht. Në total janë mbi 10 mijë biznese deri tani që janë hapur, ndërsa tërë vitin 2025 kanë qenë 13 mijë e 400 biznese të hapura. Do të thotë po flasim për një trend pozitiv të hapjes së biznesit”, tha ajo.
Ministrja theksoi se përveç numrit të bizneseve të hapura dhe të mbyllura, duhet të merret parasysh edhe mënyra e organizimit dhe regjistrimit të tyre.
“Por ne duhet ta kemi parasysh edhe elementin e qeverisjes korporative. Qeverisja korporative ngritet në Kosovë në momentin kur edhe statusi i regjistrimit të biznesit është më i avancuar. Në këtë rast prej bizneseve individuale te shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar është një avancim”, tha Kusari-Lila.
E pyetur për kritikat e shoqatave të biznesit se prodhimi vendor nuk po përkrahet mjaftueshëm dhe se tregtia e jashtme po dëmton bizneset vendore, Kusari-Lila i kundërshtoi këto pretendime.
“Jo, unë e shoh se ju po insistoni që në një teori dhe vendime që ju i keni tashmë të konfirmuara për ju, po mundoni ta ma impononi mua si konkludim. Kjo nuk është e saktë, edhe një herë po e ripërsëris. Në Kosovë indikatorët janë pozitivë, trendi është pozitiv, ndërsa edhe me këtë prezantim sot që e kemi me aktivitete të vazhdueshme jemi në mbështetje të bizneseve. Do të thotë nuk është dikush në Kosovë në aspektin e vendimmarrjes që po synon që të rriten ose të shuhen bizneset, e në veçanti ato prodhuese, por e kundërta e asaj, është argumentimi që përpjekja e vazhdueshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e ministrisë që drejtoj dhe ministrive relevante është që të ulet importi, që të zëvendësohet me prodhim vendor dhe rrjedhimisht të rritet eksporti”, tha ajo.
Kusari-Lila përmendi edhe marrëveshjen me vendet e EFTA-s, duke thënë se synimi është lehtësimi i eksportit të produkteve kosovare në këto tregje.
“Dhe marrëveshja me vendet EFTA, gjegjësisht me vendet evropiane të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni është në funksion të kësaj. Që të hiqen të gjitha ngarkesat tarifore dhe jotarifore për bizneset që eksportojnë në këto vende e natyrisht edhe të lehtësohen procedurat e importit”, tha Kusari-Lila.
