Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar panairin tradicional të organizuar nga Shoqata “Duart e Arta Llapjane” në bulevardin e qytetit të Podujevës.
Gjatë vizitës, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Kusari-Lila ka vlerësuar punën dhe angazhimin e grave kosovare në ruajtjen e traditës, promovimin e artizanatit dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike.
Ajo ka theksuar se panaire të tilla kanë rëndësi në promovimin e trashëgimisë kulturore, gastronomisë tradicionale dhe produkteve të krijuara nga gratë, duke kontribuar në ruajtjen dhe prezantimin e vlerave vendore.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se përkrahja institucionale për gratë ndërmarrëse mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Sipas saj, përmes Grantit për Gratë në Biznes po krijohen mundësi konkrete që gratë të zgjerojnë aktivitetet e tyre, të rrisin kapacitetet prodhuese dhe të fuqizojnë pozitën e tyre në treg.
“Gratë anembanë Kosovës, me duart, talentin dhe përkushtimin e tyre, po ruajnë traditën, krijojnë vlera dhe japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.