Deputetë të Partisë Demokratike, gjatë ngujimit tremujor në çadrën e protestës para Kryeministrisë, kanë përfituar para publike për fjetje në hotel brenda vendit.
Përpos dietave, rimbursimit të shpenzimeve për telefon dhe parave për karburant, ligjvënësit e opozitës, gjatë bojkotit të Kuvendit, kanë marrë edhe para publike për fjetje në hotel.
Konkretisht, në muajin prill të këtij viti, kur grupi parlamentar i Partisë Demokratike ishte zhvendosur në çadrën para Kryeministrisë, deputetja demokrate Mimoza Hajdarmataj rezulton se ka marrë 36 000 lekë pagesë për fjetje në hotel.
Në kushtet kur vendimi nr. 114/2014, për mënyrën e trajtimit të deputetëve, parashikon pagesë për vlerën e hotelit deri në 3 000 lekë nata, për shërbime brenda vendit, deputetja duhet të ketë fjetur 12 herë, gjatë muajit prill me parë publike, në një kohë kur zonja ka qenë mjaft aktive në çadrën e protestës. Edhe gjatë muajit qershor, pra muajit zgjedhor, deputetja ka marrë 15 000 lekë po për këtë shërbim.
Gjatë muajit maj, në kohë kur opozita ishte e fokusuar tek kauza e çadrës, deputetja e PD, Arbiola Halimi ka marrë një pagesë prej 7 500 lekë për rimbursim (nuk specifikohet shërbimi), 31 355 lekë dieta, 4 349 lekë për karburant dhe 17 000 lekë për telefon.
Sipas dokumentacionit zyrtar që disponon Shqiptarja.com, zonja ka përfituar dieta dhe pagesa të tjera edhe gjatë muajve të mëparshëm. Ndërkaq, edhe deputetë të forcave të tjera politike, kryesisht të Partisë Socialiste, janë paguar nga paratë publike për fjetje në hotele brenda vendit.
Gjatë muaj prill 2017, deputetja Adelina Rista është paguar me 36 000, Andrea Marto ka shpenzuar 18 000 lekë, Arta Dade 18 000 lekë, Arjeta Alhysa 9 000 lekë, Luljeta Arapi 36 000, Mimoza Hafizi 3 000 lekë dhe Mira Shehu ka shpenzuar 36 000 lekë nga paratë publike për fjetje në hotel brenda vendit, për shërbime që lidhen me detyrën si ligjvënës.
Por, ndryshe nga deputetët e PS, të cilët mund ta justifikojë edhe formalisht fjetjen në hotel, nuk dihet se si deputetët e PD i kanë justifikuar këto pagesa, në kushtet kur Partia Demokratike, gjatë kësaj periudhe, kishte ndërprerë çdo marrëdhënie me Parlamentin.
Gjithsesi, dokumentet konfirmojë se marrëdhëniet financiare me deputetëve të opozitës dhe Kuvendit kanë qenë më të forta se kurrë më parë.
Jashtë vendit
Për periudhën janar-korrik 2017, gjashtë deputetë kanë shpenzuar para publike për fjetje në hotele jashtë vendit, katër përfaqësues të opozitës dhe dy të Partisë Socialiste. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka shpenzuar 336 USD për hotel jashtë vendit, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka shpenzuar 1 140 USD, deputeti demokrat Gerti Bogdani ka shpenzuar 1 364 USD, deputetja Jozefina Topalli ka shpenzuar 956 USD, deputeti socialist Namik Dokle ka shpenzuar 746 USD dhe deputeti socialist Pandeli Majko ka shpenzuar 1 140 USD për hotel jashtë vendit.
Bilanci
Vetëm gjatë muajit prill të vitit 2017, deputetët e parlamentit shqiptar kanë shpenzuar 14 325 556 lekë nga paratë publike për dieta, telefon, karburant etj. Shumica e deputetëve kanë shpenzuar më shumë se sa 1 mijë USD për një muaj, pa llogaritur pagën bazë. Deputetët që kanë përfituar më shumë para gjatë këtij muaji janë Anila Agalliu 182 400 lekë, Edmond Leka 182 400 lekë, Gjovalin Bzhetaj 162 000 lekë, Eleina Qirici 162 000 lekë, Bujar Çela 152 650 lekë, Eduart Bejko 150 950 lekë, Edmond Zejno 147 550 lekë, Edmond Zejno 147 550 lekë, Anduel Xhindi 144 150, Gledion Rehovica 142 450 lekë, Xhevit Bushaj 140 750 lekë, Vangjel Tavo 139 050 lekë, Arben Ristani 135 650 lekë, Flamur Çelaj 135 650 lekë, Vangjel Dule 132 250 lekë, Gjergj Papa 132 250 lekë etj.
Deputetët që fjetën në hotele brenda vendi me paratë publike
Mimoza Hajdarmataj, 36 000 lekë hotel në muaj prill, 15 000 lekë për muajin qershor.
Adelina Rista, 36 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Andrea Marto, 18 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Arta Dade, 18 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Arjeta Alhysa, 9 000 lekë, prill 2017.
Fatmir Toçi, 12 000 lekë, prill 2017.
Luljeta Arapi, 36 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Mimoza Hafizi, 3 000 lekë, prill 2017.
Mira Shehu, 36 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Ylli Ziçishti, 12 000 lekë hotel brenda vendit, prill 2017.
Dashamir Kamberi, 18 000 lekë hotel brenda vendit, shkurt 2017.
Eduard Shalsi, 3 000 lekë hotel brenda vendit, shkurt 2017.
Ulsi Manja, 36 000 lekë hotel brenda vendit, shkurt 2017.
Valentina Leskaj, 18 000 lekë hotel brenda vendit, shkurt 2017.
Shpenzimet e deputetëve për fjetje në hotel jashtë vendit janar-korrik 2017
Edi Paloka, 336 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.
Fatmir Mediu, 1 140 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.
Gerti Bogdani, 1 364 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.
Jozefina Topalli, 956 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.
Namik Dokle, 746 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.
Pandeli Majko, 1 140 USD, shpenzime për hotel jashtë vendit.