Me gjashtë vota për, profesori Qerim Qerimi është zgjedhur rektori i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Qerim Qerimi është profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ai ligjëron Të Drejtën Ndërkombëtare Publike, Të Drejtën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Përvoja e tij e kaluar përfshinë fusha të tjera si: E Drejta Ndërkombëtare Ekonomike, E Drejta Ndërkombëtare e Mjedisit etj.
Qerim Qerimi është edhe profesor vizitor në Universitetin e Antwerpen-it në Belgjikë, ku jep mësim në Zbatimin e Ligjit Ndërkombëtar.
Në Universitetin e Prishtinës, ai ka shërbyer si Prodekan për Çështje Akademike të Fakultetit Juridik dhe si ushtrues detyre i Prorektorit për mësim dhe çështje të studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Qerimi ka ndjekur kërkime postdoktorale në Universitetin e Harvardit dhe në Universitetin e Antwerp-it, ka qenë studiues i Institutit Max Planck për të Drejtën Publike Krahasuese dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg dhe është student i Akademisë së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.
Qerim Qerimi doli më i votuari për rektor të Universitetit të Prishtinës, me 6 vota për, ai pritet që ta udhëheqë UP-në nga nëntori i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2024.
Në garën për të parin e UP-së kanë qenë edhe Ilir Tolaj, But Deda, Sefer Avdijaj dhe Ermir Rogova.
Procesi i zgjedhjes së rektorit të ri erdhi pas shkarkimit nga këshilli drejtues i UP-së të ish- rektorit, Naser Sahiti.