Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit ka humbur një numër të madh votash, dhe kjo është vërejtur edhe te lista e kandidatëve. Ismet Beqiri, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Quni, Blerim Grainca e Bardhyl Meta kanë humbur vota shumë.
Beqiri në zgjedhjet e vitit 2014 kishte pasur mbi 17 mijë vota, kurse në këto zgjedhje sipas rezultateve të para ka 6 mijë e 229 vota, pra ka humbur mbi 11 mijë vota, raporton lajmi.net.
Afro 10 mijë vota i ka humbur edhe Haki Demolli. Në zgjedhjet e fundit ai kishte pasur mbi 14 mijë vota, kurse në zgjedhjet që u mbajtën javën e kaluar ka siguruar rreth 5 mijë vota.
Numër të madh të votave ka humbur edhe Armend Zemaj. Në këto zgjedhje ai ka marrë 5 mijë e 554 vota, kurse në zgjedhjet e kaluara kishte pasur mbi 11 mijë vota.
Mbi 5 mijë vota i ka humbur edhe Arben Gashi. Ky kishte pasur gati 15 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2014, kurse në zgjedhjet e 11 qershorit nuk ka marrë më shumë se 8 mijë e 447.
Nga 4 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara i kanë humbur edhe Blerim Grainca e Anton Quni, kurse tre mijë tjera i ka humbur Bardhyl Meta.
LDK-ja në këto zgjedhje ishte në koalicion me AKR-në dhe Alternativën.