Mbi 100 të ftuar nga Specialja në cilësinë e të dyshuarve, do të kenë betejë të dyfishtë gjatë qëndrimit në Hagë.
Përveç që të ftuarit duhet të sigurojnë provat e mjaftueshme për të shmangur aktakuzat, apo në rastet tjera për t’i fituar proceset gjyqësore, ata duhet të sigurojnë edhe mjete financiare për mbrojtjen juridike të tyre, si dhe akomodimin e përgjithshëm në Hagë.
Qeveria për të ftuarit nga Specialja pati ndarë 1.5 milionë euro, të cilat do të shpenzohen në bazë të kërkesave të atyre që në të ardhmen kanë të bëjnë me Prokurorinë e Specializuar të Hagës.
Mirëpo, ky fond aktualisht është i paprekur. Arsyet qëndrojnë në atë se Qeveria e Kosovës ka paraparë që ndihma juridike dhe financiare nga shteti, të jipet vetëm pas ngritjes së aktakuzave, apo thënë ndryshe nisjes së proceseve gjyqësore.
Këtë e thotë edhe avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi.
Në një deklaratë dhënë për lajmi.net, Bokshi sqaron edhe rastet me klientët e tij, shpenzimet e të cilëve janë paguar nga vetë Prokuroria e Specializuar.
“Fondi jipet veç pas ngritjes së aktakuzës. Unë kam pas një rast me një klientë, ata patën të shkojnë në Hagë por njëri prej tyre s’kishte pasaportë dhe prokurori erdh këtu në Prishtinë, dhe m’i kanë pagu ata shpenzimet. Kur s’ka pala mundësi, duhet të argumentohet se s’ka paligjshmëri që s’e rrezikon ekzistencën e tij”, sqaron avokati Bokshi.
Ndonëse, ai thotë se kjo procedurë është mjaftë e komplikuar.
“Ata i kanë paguar me një procedurë shumë të komplikuar, por ata i kanë pagu. Mbrojtjen, në qoftë se s’ka të hyra i akuzuari nën hetime, i bartin ata. Pra me rregull, Haga i bartë këto shpenzime”, thotë Bokshi.
Mirëpo, në raste tjera ai thotë se në qoftë se pala ka mundësi të paguajë, Prokuroria nuk shpenzon asnjë cent.
Ndërkaq, njëri nga të ftuarit e Speciales, i cili nuk ka angazhuar avokat thotë për lajmi.net se të gjithë shpenzimet i janë paguar nga Prokuroria e Specializuar.
Ai thekson se përveç shpenzimeve, prokuroria u paguan edhe mëditje ditore.
“Të gjitha shpenzime, që nga akomodimi, udhëtimi dhe të tjerat më janë mbuluar nga Prokuroria e Specializuar. Avokat nuk kam marrë sepse unë jam mbrojtë në heshtje, mirëpo gjithsesi që për këtë janë kërkuar para. Sidoqoftë unë s’kam pasur nevojë për avokat”, thotë ky i ftuar nga Specialja që u intervistua në cilësinë e të dyshuarit.
Driton Lajçi nga Zyra për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja, nuk është përgjigjur.
Sidoqoftë, nga e njëjta zyrë kanë folur zyrtarë tjerë të cilët nuk kanë dashur të identifikohen.
Ata thonë se në secilin rast, kërkesa për ndihmë juridike-financiare, kalon përmes Qeverisë së Kosovës si dhe ministrisë së Drejtësisë.
“Në secilin rast këto kalojnë përmes Qeverisë së Kosovës e ministrisë së Drejtësisë. Por gjithsesi kërkesa dhe ndihma jipet pas ngritjes së aktakuzave”, thonë shkurt këta zyrtarë.
E fondi i ndarë për të akuzuarit nga Specialja, po del të jetë shumë i vogël në krahasim me rritjen e të ftuarve në cilësinë e të dyshuarit, e që me mundësi të madhe më vonë do të jenë në karrigen e të pandehurit.
Avokati Teki Bokshi, thekson se shpenzimet janë shumë të mëdha, përfshirë akomodimin dhe mbrojtjen juridike.
Megjithatë, ai thotë se është kontraverse një dukuri që shteti t’i mbrojë të akuzuarit.
“Nuk ma mer mendja aspak që fondi i ndarë nga Qeveria e Kosovës është i mjaftueshëm, sepse shpenzimet janë relativisht të mëdha, ushqimi, fjetja, udhëtimi mbrojtja, por kjo është edhe diskutabile që njerëzit që akuzohen të financohen nga shteti, mirëpo është problem tjetër se qysh ata e kanë pru ligjin”, ka thënë në fund ai.
Thirrje të vazhdueshme për rritjen e fondit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja kanë dhënë edhe nga organizata për veteranët e luftës.
Ata shumë shpejtë kanë paralajmëruar arrestimet e para, ndër të cilat nuk përjashtohet as arrestimi i figurave të larta politike, përfshirë ish-kryeministrin Haradinaj, e ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.