Dhjetëra punëtorë të larguar nga Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) kanë protestuar të hënën para Gjykatës Kushtetuese në shenjë pakënaqësie ndaj këtij institucioni që nuk u ka dhënë përgjigje rreth ligjshmërisë së vendimeve të gjykatave në kërkesën për kthim në ish-vendet e punës. Afro 80 punëtorë janë larguar nga KEDS-i në prill të vitit 2016.
Përfaqësuesi i punëtorëve të larguar, Remzi Demaj, pas takimit me përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kanë premtimin që gjatë kësaj jave do të merret vendimi për çështjen e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ishim në takim më përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese ku biseduam për çështjen tonë dhe për KEDS-in, i cili e ka paraqitur kërkesën për ligjshmëri. Na premtuan se shumë shpejt do të dalin me një vendim. Vendimi do të jetë 100 për qind në favor të punëtorëve, sepse me bisedën që e patëm asnjë shkelje nuk ka bërë Gjykata Themelore për ligjshmëri. Vonesa nuk e di pse ka ndodhur, por premtimet na dhanë që brenda javës do të dalin me vendim”, ka deklaruar Demaj.
Sipas tij, janë mbi 80 persona që janë larguar nga puna pa asnjë arsye.
“S’ka arsye që na kanë larguar neve KEDS-i. E ka shkelë ligjin e punës. Gjykatat e kanë lëshuar vendimin e formës së prerë për kthimin e punëtorëve në punë, mirëpo KEDS-i nuk e ka zbatuar vendimin. Tash po presim edhe nga kjo gjykatë që të dalë me një vendim të formës së prerë sa më shpejt”, ka thënë ai.