eanca plenare e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, me vendim të Konferencës së Kryetarëve u zhvendos pasditen e kësaj të marte. Vendimi i mazhorancës u pa nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, si lëvizje taktike për të shmangur protestën dhe tregues frike, por numri dy i socialistëve sqaroi se mbledhja e Parlamentit nuk kishte lidhje me aksionin opozitar.
“Është vijim i seancës së shkuar. Nuk mund të mblidheshim më 14 mars, sepse është ditë feste, Dita e Verës”, tha Taulant Balla.
Vendimi i mazhorancës vuri në lëvizje menjëherë opozitarët, të cilët njoftuan në bllok strukturat për ndryshimim e planit dhe organizimin e shpejtë të një proteste para Parlamentit.
“Për kokën e Ramës po mblidhen në ilegalitet. Ai tjetri bën antimiting në Lushnje. Ta dinë sa herë të mblidhen dhe kurdo të mblidhen, pas do na kenë”, tha Paloka.
Në rendin e ditës të Parlamentit parashikohet ngritja e dy strukturave të reja të drejtësisë, për të cilat mazhoranca thotë se opozita iu druhet.
“Kanë frikë nga SPAK dhe BKH-ja”, tha Balla, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
“Ne që hoqëm imunitetin, paskemi frikë. Ata që e forcojnë, s’kanë? E shikoni sa banal janë?”, tha Paloka.
Numri dy i demokratëve reagoi edhe për thirrjet e përsëritura të BE-së, që protesta të mos jetë e dhunshme.
“Të mos na kërkojnë neve ato që s’ua kërkojnë qytetarëve të tyre”, u shpreh Paloka.
Edhe pse mazhoranca njoftoi se të enjten nuk do të ketë Parlament, opozita konfirmoi se protesta nuk do të anulohet.