Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për rreth gjashtë orë për dhunën në familje dhe si duhet të adresohet nga institucionet ky problem. Por, në fund, në sallë nuk ka pasur deputetë mjaftueshëm për t’i votuar rekomandimet.
Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, nga Vetëvendosje, ka lexuar rezolutën e harmonizuar me të gjitha grupet parlamentare. Por, ajo nuk u votua pasi në sallën e Kuvendit ndodheshin vetëm 40 deputetë, raporton Ekonomia Online.
Rezoluta që përmban 9 rekomandime pritet të votohet në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit.
Rekomandimet:
1. Rishikimi dhe plotësimi i ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje
2. Ndryshimi në kodin penal dhe të procedurës penale për veprën penale të dhunës në familje, si dhe fuqizimi i mekanizmit koordinues për parandalimin dhe ndjekjen penale të dhunës në familje përfshirë dëmshpërblimin për dëmet emocionale të viktimave të dhunës në familje dhe viktimave në baza gjinore
3. Të zbatohet në tërësi strategjia kombëtare për mbrojtjen na dhuna në familje dhe plani i veprimit 2016-2020 sidomos nenet që kanë të bëjnë me riintegrimin e viktimave të dhunës në familje si dhe rishikimi i këtyre dokumenteve për të reflektuar ndryshimet në legjislacionin konform pikave 1 dhe 2 të kësaj rezolute
4. Avancimi i kurrikulave arsimore për edukimin e nxënëseve për rëndësinë e barazisë gjinore si dhe eliminimi i rasteve në kurrikula ku referohet dhuna në familje si mjet komunikimi
5. Përfshirja e strehimoreve, në planifikimin e ardhshëm buxhetor për vitin 2019 dhe shqyrtimi i mundësisë për ndihmë të jashtëzakonshme me rishikim të buxhetit për vitin 2018
6. Avancimi i buxhetimit të plotë gjinor në të gjitha institucionet
7. Programe të qarta dhe marrje parasysh të aspekteve të barazisë gjinore ne ministritë e linjës që mbështesin gratë në biznes dhe punësim përfshirë programet për riaftesim profeisonal dhe inkuadrim të grave në tregun e punës
8. Mbështetje e politikave për programe sociale dhe strehim të viktimave do te thotë strehim afatgjatë të viktimave të dhunës në familje
9. Mbështetje e qendrave për punë sociale për ofrimin e shërbimeve këshilluese për familje si masë e parandalimit të dhunës dhe ndarjeve të familjes.