Kuvendi i Kosovës sulmohet me predhë

Prishtinë | 05 Gus 2016 | 00:08 | Nga

Kuvendi i Kosovës është sulmuar me mjet shpërthyes nga distanca, të enjten në mbrëmje rreth orës 23, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, ka thënë se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Kuvendit por nuk ka pasoja në njerëz.

“Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në këtë rast”, tha Hoxha, për REL.

Policia e Kosovës tha se në një pjesë të qytetit të Prishtinës, jo larg nga vendi sulmit është gjetur një motoçiklete që po digjej, pak kohë pas shpërthimeve.

Policia nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të saj nga persona të përfshirë në shpërthim, megjithëse tha se ende po bëhen hetime.

Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, në reagimin e saj duke dënuar sulmin e ka cilësuar “si sulm mbi shtetin, mbi demokracinë dhe mbi të gjithë qytetarët e Kosovës”

“Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj” thuhet në një deklaratë të AAK-së e cila kërkon kapjen e autorëve të sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit

Të ngjashme